Flash News

E-TJERA

Fatura e dëmshpërblimit nga përmbytjet, Ademi: Raportin do t’ia dërgojë qeverisë, të zbatohet ligji

Fatura e dëmshpërblimit nga përmbytjet, Ademi: Raportin do

Fatura e dëmshpërblimeve nga përmbytjet, e cila pritet të kalojë shifrat e miliarda lekëve, është shkaku i përplasjeve më të fundit mes pushteti lokal të Shkodrës dhe atij qendror. Qeveria pretendon se dëmshpërblimet i përkasin Bashkisë së Shkodrës për t'i paguar me argumentin se nuk u shpall gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Vlotana Ademi në një deklaratë për mediat shprehet se brenda këtij muaji do të përfundojë vlerësimi i situatës për të kërkuar më pas dëmshpërblimin për familjet.

“Kemi ngritur grupet e konstatimit. Do të paraqesim dokumentin në këshillin e bashkisë së Shkodrës ashtu siç është edhe procedura. Pretendojmë që këtë punë ta kryejmë brenda muajit mars,” u shpreh Voltana Ademi.

Edhe pse ende nuk është e qartë se cili institucion do të akordojë fondin, Ademi shprehet se raportin do t’ia dërgojë qeverisë.

“Ja u them me bindje që pjesa e mbetur nuk do të mjaftojë as për të rikuperuar dëmet e shkaktuara në pronën publike, qofshin ato ndërtesa apo kanalizime të ndërtuara, apo dhe rrugë. Kemi dhe rrugë, apo dhe sheshe për shembull pedonalja në Shirokë, po marr rastin më evident për ju. Pra nuk do të mjaftojë as për këtë dhe sigurisht ligji parashikon që përtej kësaj vlere çdo gjë t’i kërkohet ministrisë përkatëse: ministrisë së Bujqësisë për bujqësinë, ministrisë së Mbrojtjes për mbrojtjen cilive,” vazhdoi Ademi.

Duket se përplasjet mes pushtetit vendor dhe qendror do të shkojë në Gjykatë. Ademi pretendon se fondin duhet ta akordojë Qeveria dhe kërkon zbatimin e ligjit. 

“Ajo që ne kërkojmë është që kur kemi një ligj ta zbatojmë atë dhe pikërisht këtë do të bëjmë, do t’i kërkojmë qeverisë që të zbatojë ligjin. Në këtë rast, ligj-zbatuesi sikurse janë organe të tilla si Gjykatat do të duhet të miratojnë apo jo, nëse ka ndonjë problem, duhet ta çojnë gjënë deri në fund. Ne do ta ndjekim këtë rrugë,” tha Ademi.

 

Të fundit