Flash News

E-TJERA

Faza e tretë për zgjedhjen e kreut të BKH-së/ Kandidatët përfundojnë testin me shkrim dhe arsyetim logjik

Faza e tretë për zgjedhjen e kreut të BKH-së/

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar sot fazën e tretë të procesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Kandidatë janë paraqitur në orën 11:00 në ambientet e SPAK, ku i janë nënshtruar provimi të zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik, e cila ka zgjatur 1 orë e 45 minuta.

Sipas SPAK, rregullorja parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin dhe do të jenë anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes ata që do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit. Komisioni i Përzgjedhjes përbëhet nga prokurorët e SPAK, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra.

Kandidatët e kualifikuar do t’i nështrohen më pas testit të poligrafit dhe intervistës në panel, ndërsa në fazën pasardhëse është faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë. Më herët kandidatët e kualifikuar kanë kaluar fazën e verifikimit të dokumentacionit dhe testit fizik.

Njoftimi i SPAK

“Në përputhje me ligjin nr. 95/2016, sot u zhvillua faza e tretë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht provimi i zgjeruar me shkrim (eseja) dhe testi për arsyetimin logjik.

Shtatë kandidatët e kualifikuar nisën testin në orën 11.00, në ambientet  e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Të dy testet zgjatën 1 orë e 45 minuta, përkatësisht eseja, 60 minuta dhe testi i arsyetimit logjik, 45 minuta.

Rregullorja për përcaktimin e procedurave të përzgjedhjes së kandidatit për Drejtor të BKH-së parashikon vlerësimin me 60 pikë për të dy testet, pra 30 pikë për secilin. Procedura e testeve u zhvillua nën vëzhgimin e anëtarëve të Komisionit të Përzgjedhjes, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe stafit teknik mbështetës.

Në përfundim të këtyre fazave të para; testit të aftësive fizike, provimit të zgjeruar me shkrim (esesë) dhe testit për arsyetimin logjik, Komisioni i Përzgjedhjes do të rendisë kandidatët e kualifikuar, të cilët do të vijojnë me fazat e tjera të konkurrimit.

Testi i ardhshëm është ai i poligrafit dhe intervistës në panel, i cili ndiqet nga faza e verifikimit të figurës dhe deklarimit të pasurisë nga Komisioni i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës.

Shtatë kandidatët e mbetur në garë janë Gledis Nano, Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Joni Keta.

Të fundit