Flash News

E-TJERA

Festa e Kurban Bajramit/ Besimtarët myslimanë falin namazin në të gjithë vendin, Spahiu: Ktheni vëmendjen te familja

Festa e Kurban Bajramit/ Besimtarët myslimanë falin namazin në

Besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë sot Kurban Bajramin. Si çdo vit, në këtë ditë të shenjtë besimtarët falën namazin në sheshin “Skënderbej”. Ky është viti i dytë që Kurban Bajrami, por edhe çdo festë tjetër mbahet në kushtet e pandemisë.

Falja e namazit është bërë edhe në xhamitë e tjera të vendit, herët në mëngjes. Kreu i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu ka përcjellë urimin për të gjithë besimtarët në ditën më të rëndësishme në kalendarin islamik.

Ai vuri theksin te fenomenet e ndodhura së fundmi si dhuna në familje, divorcet e shtuara, sjellja ndaj prindërve, duke i cilësuar këmbanë alarmi. Spahiu bëri thirrje që vëmëndja të kthehet të familja që është bërthama e shoqërisë njerëzore sipas tij.

"Të dashur motra dhe vëllezër, sot jemi mbledhur për të festuar Kurban Bajramin, festa që simbolizon dashurinë e njeriut ndaj Zotit të Gjithësisë. Dua të sjellë në vëmendje lënien në harresë të familjes, ditë si kjo e sotmja duhet të shërbejnë për të reflektuar. Ne shohim se si rastet te dhunës në familje rriten, kjo është e papranueshme, fjala divorc po kthehet në diçka normale për çiftet. Shqetësuese është sjellja ndaj prindërve.

Mos i lini vetëm, kujdesuni për ta.  Këto fenomene janë kambanë alarmi të asaj që po vjen, ne e kemi detyrim ta ndalim atë, nuk ka rrugë tjetër përveç kthimit të vëmendjes te familja. Ne duhet ta ruajmë me fanatizëm familjen. Familja është bërthama e shoqërisë njerëzore. Ushqeni dashuri ndaj njëri-tjetrit, t'i lutemi Zotit të na udhëzojë në rrugën e drejtë", tha Spahiu.

Kurban Bajrami njihet ndryshe si “Festa e Flijimit” dhe është një nga dy festat islame më të rëndësishme të cilën e kremtojnë myslimanët në mbarë botën, pas Fitër Bajramit. Pas faljes së namazit besimtarët vishen, rregullohen dhe vizitojnë njëri-tjetrin, duke iu uruar mbarësi e lumturi. Festa, sipas traditës islame, nderon gatishmërinë e Ibrahimit të flijoj djalin e tij si vepër e nënshtrimit ndaj urdhrit të Zotit.

Të fundit