Flash News

E-TJERA

Fiter Bajrami/ Besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin “Skënderbej”, Spahiu: Luftërat i ndiejnë të pafajshmit

Fiter Bajrami/ Besimtarët myslimanë falin namazin në sheshin

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot Fiter Bajramin, ditën më të rëndësishme të kalendarit. Mëngjesin e sotëm, mijëra besimtarë mbushën sheshin “Skënderbej”, ku u zhvillua ceremonia e faljes së namazit. 

Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit. Besimtarët myslimanë kremtojnë festën pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit. 

Emri Fitër Bajram vjen nga ajo se myslimanët para ditës së bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Në fjalën e tij, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu uroi besimtarët, ndërsa bëri thirrje për më shumë solidaritet për njerëzit në nevojë.

Ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë, ku uroi paqe, duke theksuar se pasojat prekin njerëzit e pafajshëm.

“Koha në të cilën jetojmë na ka vënë përballë sfidave e vështirësive me të cilat, më së shumti, përballen kategoritë më vulnerabël të shoqërisë si të moshuarit, fëmijët, të varfërit, jetimët, njerëzit me nevoja të veçanta.

Të përkushtohemi më shumë ndaj prindërve, të moshuarve, të gjendemi pranë jetimëve. T’i japim dorën njerëzve me nevoja të veçanta, të përkujdesemi dhe tregojmë mëshirë ndaj tyre. Nuk mund të mendohet që të ketë gëzim dhe kënaqësi Bajrami për ata, që u kthejnë shpinën miqve, të afërmeve, fukarenjve dhe vëllait të mbetur mënjanë.

Luftëra dhe konfliket janë shfaqur sërish në vende të ndryshme të botës. Nga Lindja në Perëndim, pasojat e këtyre konflikteve ndihen kudo dhe ato i ndiejnë drejtpërdrejt njerëzit e pa fajshëm, fëmijët, të moshuarit, gratë. T’i lutemi Zotit për paqe e prosperitet në botë”, u shpreh ai.

Të fundit