Flash News

E-TJERA

Flet për Politiko pronari i ‘Shtëpisë së Verdhë’: Kërkojmë mbrojtje nga shteti, mund të më ekzekutojnë natën

Flet për Politiko pronari i ‘Shtëpisë së

Konfirmimi i aktakuzës për krime lufte ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish luftëtar i UÇK-së ka rikthyer edhe një herë vëmendjen ndaj të ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë” në Mat.

Ishte senatori Dick Marty, i cili bazuar në librin e Karla Del Pontes, ngriti akuza të rënda ndaj disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për përfshirje në trafikimin e organeve njerëzore të ushtarëve serb në një ndër ndër pikat e supozuara “Shtëpia e verdhë” në Mat, akuza që nuk u vërtetuan kurrë.

Mersim Katuçi, kryefamiljari i të ashtuquajturës “Shtëpia e verdhë”, thotë në një intervistë për Politiko.al se i është rikthyer njolla e vendosur që prej 2004-ës sërish në familje dhe për këtë kërkon jo vetëm dëmshpërblim moral, por edhe mbrojtje nga shteti, pasi ndihet i kërcënuar nga serbët.

 

Si u ndjetë kur mësuat se Hashim Thaçi u dorëhoq pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte?

Thaci ka qenë kryeministër, udhëheqës i UCK. Ai të mbrojë veten e vet, por edhe familjen time se këtu në Mat nuk ka ndodh asnjëherë të jenë bërë transplant organesh se këtu është një zonë e vdekur, mezi hamë bukë.

Kjo është akuzë e pa vërtetë edhe për Thaçin edhe për familjen time. Shteti shqiptar s’na ka dhënë asnjë lloj të drejte. Mua më intereson e drejta për familjen time, është një akuzë pa baza. Kush ma heq njollën mua.

Si e kujtoni kohën kur në 2004-ën në shtëpinë tuaj është ushtruar kontroll nga autoritetet shtetërore?

Nuk dua ta kujtoj atë periudhë. Pas atij kontrolli, edhe Dik Marti ka dashur të bëjë sërish kontroll të paligjshëm, por nuk e kemi lejuar ne si familje dhe e kemi përzënë.

Na janë bërë shumë padrejtësi. Jemi tepër të mërzitur se nuk na jepet asnjëherë të drejtë.  

Ku e keni kërkuar të drejtën tuaj?

Te Sali Berisha, te Edi Rama, ish kryeprokurori Theodhori Sollaku, por s’na kanë dhënë asnjë lloj të drejte. Nuk na hap procese gjyqësore te shteti shqiptar. Kërkojmë të drejtën tonë në Strasburg.

Si ndiheni kur në media dëgjoni sërish të flitet me akuza për shtëpinë tuaj?

Jemi të shqetësuar pasi kjo njollë nuk po na hiqet. Pse nuk po na jepet e drejta jonë, duam dëmshpërblim moral për akuzën ndaj nesh.

Nëse politikanët shqiptarë shajnë njëri tjetrin, ngrenë padi në gjykatë dhe i marrin euro njëri-tjetrit, kurse mua asgjë, rrezik të më ekzekutojnë krejt.

Jeni ndjerë i kërcënuar?

Kërkoj mbrojtje nga shteti shqiptar se mund të më vrasin serbët natën. Duhet të kemi polici rreth familjes. Kemi frikë, por edhe kemi rrugë nacionale afër dhe këtu lëviz kushdo, i njohur e i panjohur.

Personat që kanë ardhur këtu si shqiptar për kontrolle në shtëpi, në fakt ishin serbë. Kërkoj mbrojtje nga shteti shqiptar.

Politiko.al/

Të fundit