Flash News

E-TJERA

Fletë votimi të falsifikuara në Peqin, procedohet një shtetas pas denoncimit të PD-së

Fletë votimi të falsifikuara në Peqin, procedohet një

Policia ka sekuestruar materiale të dyshuara si të falsifikuara në fshatin Pekisht të Peqinit, përfshirë fletë votimi të paplotësuara dhe një listë emërore të zgjedhësve. Ky zhvillim vjen pas një denoncimi të Partisë Demokratike, që akuzon eksponentë të Partisë Socialiste për mbushje të kutive të votimit në ambiente private në Qarkun e Elbasanit.


Pas kallëzimit, forcat e rendit dhe Prokuroria ndërhynë në një lokal në pronësi të shtetasit Dervish Beqiri. Gjatë kontrollit, në prani të autoriteteve hetimore, u gjetën dhe u sekuestruan 10 fletë të ngjashme me ato të votimit, të paplotësuara dhe të dyshuara si të falsifikuara, një listë emërore zgjedhësish dhe një shumë prej 280 000 lekësh.


Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Peqinit, gjatë kontrollit në banesën e Beqirit, u gjetën gjithashtu një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive), për të cilat ai nuk kishte leje.

Në përfundim të veprimeve hetimore, policia referoi materialet në Prokurorinë e Elbasanit, duke nisur procedim penal ndaj Dervish Beqirit për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


Hetimet vijojnë për të zbardhur tërësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse ky rast lidhet me një skemë më të gjerë të manipulimit të votave.

Të fundit