Flash News

E-TJERA

Fqinja tregon për ulërimat në ndërtesë: Dritaret ishin të mbyllura kur ndodhi vrasja e palestinezes

Fqinja tregon për ulërimat në ndërtesë: Dritaret ishin

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen tragjike të 24-vjeçares palestineze, Rayyan Alëan, e cila u qëllua për vdekje me thikë nga babai i saj, Fadi Alëan, në Tiranë. Viktima kishte qenë më parë e martuar, por ishte divorcuar dhe kishte tre fëmijë, të cilët janë tani me babain e tyre.

Familjarët e Rayyanit në Gjermani kanë dhënë dëshmi, duke treguar se ajo jetonte një jetë të lirë dhe larg parimeve të Islamit, një stil jetese që ishte kundërshtuar veçanërisht nga babai i saj. Banorët e lagjes ku ndodhi ngjarja kanë treguar se dëgjuan britma të forta të dielën, por nuk ishin në gjendje të kuptonin se nga vinin. “U tronditëm, pasi hymë dhe dolëm gjithë ditën me fëmijët. Dritaret ishin të mbyllura dhe dëgjuam vetëm zhurma nga sipër,”- tha një banore.

Ngjarja ka tronditur të gjithë lagjen, e cila ka qenë gjithmonë një zonë e qetë, ku jetojnë familje. Policia ka nisur hetimet dhe ka kërkuar informacion edhe nga autoritetet kosovare, pasi dyshohet se dokumentet e udhëtimit të Fadi Alëan dhe të bijës mund të kenë përfshirë identifikim nga Kosova, ndërkohë që kalimi i kufirit është bërë me dokumente greke.

Fadi Alëan, i cili mbërriti me të bijën nga Gjermania në Tiranë më 19 shkurt, dyshohet se ka vrarë Rayyanin në një dhomë me qira në katin e tretë të një godine në rrugën “Gjon Muzaka”. Pas krimit, ai mori pasaportën dhe celularin e vajzës dhe iku në Athinë, për të udhëtuar më pas drejt Amsterdamit dhe, më tej, në Liban. Trupi i pajetë i Rayyanit u gjet më 27 shkurt nga pronarja e banesës.

Pistë kryesore e hetimeve është konflikti që kishte viktima me familjen e saj, i shkaktuar pas divorcit dhe stilit të jetesës që ajo ndoqi. Aktualisht, Fadi Alëan dyshohet se ndodhet në Liban, dhe policia po bashkëpunon me Interpolin për kapjen e tij.

Të fundit