Flash News

E-TJERA

Franca tërheq rreth 55% të azilkërkuesit shqiptarë, Gjermania në vend të dytë

Franca tërheq rreth 55% të azilkërkuesit shqiptarë,

Destinacioni kryesor i preferuar i shqiptarëve si azilkërkues, për vitin 2021 ka qenë Franca. Janë 55.2% e shqiptarëve, ose 4,885, të cilët kanë aplikuar për azil në Francë, ndërkohë që krahasuar me vitin 2020, kjo shifër ka pësuar rritje me 14.9 pikë përqindje.

8,845 aplikme për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Krahasuar me vitit 2020, ky tregues është rritur me 77%.

Teksa rriten aplikimet për në Francë, shifrat tregojnë se gjatë vitit 2021, ka rënë numri i aplikimeve për vende si Gjermania, Greqia apo dhe Italia lidhur me totalin. Numri i kërkesave për azil në Gjermani gjatë vitit 2021 ka rënë me 2.6 pikë përqindje nëse do ta analizonim atë jo në vlerë absolute, por si përqindje ndaj totalit.

Gjermania është destinacioni i dytë i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë. Nga ana tjetër, për Greqinë ky tregues regjistron rënie deri në 7.8 pikë përqindje. Gjatë vitit 2020, nga totali i aplikimeve për azil, 20.5% ishin kërkesa me destinacion Greqinë, ndërsa gjatë vitit 2021, janë 12.7% kërkesa të azil kërkuesve shqiptarë që zgjodhën Greqinë.

Kjo e fundit renditet e treta ndër destinacionet kryesore të shqiptarëve azilkërkues. Shifrat tregojnë se në vitin 2020 janë disa vende për të cilat nuk regjistrohet asnjë aplikim, megjithatë gjatë vitit 2021 ka patur kërkesa. Këto vende janë Bullgaria, Kroacia dhe Portugalia, me nga 5 kërkesa, dhe Sllovenia e Finlanda me nga 10 kërkesa për azil nga shqiptarët.

Vendi ynë vijon të kryesojë rajonin sa i përket aplikimeve për azil për herë të parë. Në vend të dytë gjejmë Maqedoninë e Veriut, ndërsa Serbia renditet e treta me 2,055 kërkesa. Kosova vijon në renditje me 1,600 kërkesa për azil për herë të parë. Dy vendet e fundit me numrin më të ulët në rajon janë Bosnje Hercegovina dhe Mali i Zi, me 1.560 dhe 250 kërkesa respektivisht.

Burimi: SCAN TV

Të fundit