Flash News

E-TJERA

Fshihej në Vlorë, 45-vjeçari i akuzuar për abuzim seksual i dorëzohet autoriteteve greke

Fshihej në Vlorë, 45-vjeçari i akuzuar për abuzim seksual

Policia e Vlorës i ka dorëzuar homologëve grekë 45-vjeçarin shqiptar i cili akuzohet se ka abuzuar seksualisht me një 34-vjeçare në Greqi.

Sipas policisë, Spartak Dyrmishi është gjetur në Vlorë dhe ka shprehur dëshirën për t’u dorëzuar te policia greke. Pas kësaj, autoritetet shqiptare e kanë dorëzuar Dyrmishin në pikën kufitare të Kakavijës. 

45-vjeçari akuzohet se abuzoi seksualisht me një 34-vjeçare në një stacion autobusi në Greqi dhe tentoi të abuzojë edhe një 24-vjeçare. Të dyja kanë dhënë dëshminë e tyre në polici duke e identifikuar Dyrmishin me një tatuazh që ka në krah.

Njoftimi i policisë:

Angazhimi maksimal i strukturave të Policisë së Shtetit, reagimi profesional dhe në kohë, çuan në kapjen dhe dorëzimin vullnetar te Policia greke, të 45-vjeçarit nga Vlora, i kërkuar në Greqi, për përdhunim.

Policia e Shtetit, menjëherë pas shkëmbimit të informacioneve me homologët grekë, për një shtetas shqiptar që kishte përdhunuar një shtetase dhe kishte tentuar të përdhunonte një shtetase tjetër, organizoi strukturat operacionale për të ushtruar kontrolle të imtësishme në territorin ku dyshohej se fshihej 45-vjeçari.

Pas kërkimeve të pandërprera, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë bënë të mundur kapjen e shtetasit Spartak Dyrmishi, 45 vjeç, banues në Vlorë.

Duke qenë se ky shtetas ka shprehur dëshirën e tij për t’u dorëzuar te Policia greke, në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia shqiptare e ka dorëzuar atë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije.

Gjatë një komunikimi në mesnatë, mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë greke Gjeneral Lieutenant Konstantinos Skoumas u vlerësua bashkëpunimi dhe reagimi mjaft profesional i Policisë shqiptare.

Drejtori i Policisë greke, Konstantinos Skoumas e ka falënderuar Drejtorin e Policisë shqiptare, për angazhimin dhe komunikimet e vazhdueshme të realizuara këto ditë, për reagimin e menjëhershëm dhe veprimet profesionale të Policisë shqiptare, të cilat ndikojnë në rritjen akoma më shumë të besueshmërisë nga homologët, forcimin e bashkëpunimit mes palëve, si dhe në rritjen e imazhit të Policisë shqiptare, ndërkombëtarisht.

 

Të fundit