Flash News

E-TJERA

Fuga ironizon Paketën e Rezistencës Sociale: Kafshoni një copë ballokume, se aq ishte ndihma!

Fuga ironizon Paketën e Rezistencës Sociale: Kafshoni një

Akademiku Artan Fuga ka komentuar Paketën e Rezistencës Sociale të miratuar nga qeveria, si një masë kompensuese për qytetarët pas rritjes së çmimeve.

Fuga shkruan në Facebook, se paketa është një tallje e madhe ku rezistencën e bën qeveria dhe jo qytetarët. Akademiku nënvizon ndihmën minimale që qeveria vendosi t’i ofrojë shtresës më të prekur nga kriza.

“Jo, jo, dru atyre, mjafton një ekran televizori që të shohin liderin varfanjakët pa pasur nevojë të dalin jashtë, që jetojnë me ndihma sociale, të japin votën në fund të mandatit sikurse marrin pagën e turpit në fund të muajit, dhe kaq! Ecim dhe marshojnë! Na bëftë mirë ballokumja sepse aq ishte ndihma e rezistencës sociale!”, shkruan Fuga.

Postimi i plotë:

Na! Kafshoni një copë ballokume!

Shoh këtë paketën e asaj që u quajtka rrezistenca sociale e shpallur sot ditën e Ballokumes!

Të merr frika!

Në fillim rrëmben emrin e "rrezistencës", tallje e madhe, këtu edhe rrezistencën e bën qeveria, jo qytetari!

Po kush po pyet për emërtime!

Ajo që shoh është e frikshme! Mbështeten me thërrime shtresa më në zgrip të shoqërisë dhe nuk preken në asnjë përqindje fitime shtresat e pasura, kurse shtresat e mesme tërësisht të lëna në -mëshirën e fatit!

E pra, ato janë baza e një shoqërie demokratike! Jo rastësisht goditen, lihen në mëshirën e fatit, ekspozohen ndaj ashpërsisë së jetës, fyen, injorohen. Sepse ato kanë mundësi të formojnë një mendim alternativ, ato formojnë shtresa proevropiane e integruese, ato rivalizojnë pushtetarët, ato mund të drejtojnë ndryshe shoqërinë!

Jo, jo, dru atyre, mjafton një ekran televizori që të shohin liderin varfanjakët pa pasur nevojë të dalin jashtë, që jetojnë me ndihma sociale, të japin votën në fund të mandatit sikurse marrin pagën e turpit në fund të muajit, dhe kaq!

Ecim dhe marshojnë!

Na bëftë mirë ballokumja sepse aq ishte ndihma e rrezistencës sociale!

 

Të fundit