E-TJERA

Fyerje dhe denigrim, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon sulmin e Ristanit ndaj gazetarit të “Piranjave”

Fyerje dhe denigrim, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar gjuhën denigruese të kryetares në detyrë të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ndaj gazetarit të emisionit “Piranja”, Edon Kuqi.

Ristani shpërheu në fyerje e ofendime me termat “legen”, “maniak” e “turpi i gazetarëisë” teksa Kuqi po i kerkonte shpjegim për shfrytëzimin që i bën familja e saj automjetit dhe shoferit të bashkisë.

AGSH i bën thirrje institucioneve publike të ndalojnë sulmet personale ndaj transparencës.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon me forcë gjuhën fyese, denigruese dhe përbuzëse të përdorur nga Kryetarja në detyrë e  Bashkisë Tiranë, znj. Anuela Ristani, ndaj gazetarit Edon Kuqi dhe ekipit të emisionit investigativ “Piranja”.

 Termat si “legen”, "maniakë" “turpi i gazetarisë”, apo akuzat për “joprofesionalizëm” janë jo vetëm të papranueshme në fjalorin publik, por edhe të rrezikshme për klimën e lirisë së medias në Shqipëri.

Znj. Ristani, në vend që t’u përgjigjej me transparencë pyetjeve legjitime të ngritura nga një investigim gazetaresk mbi përdorimin e resurseve publike, zgjodhi të shantazhojë verbalisht gazetarin dhe të përpiqet të viktimizohet në mënyrë që të shmangë thelbin e çështjes.

Asociacioni i Gazetarëve e bën të qartë se puna gazetareske përfshirë ndjekjen dhe dokumentimin e përdorimit të mjeteve shtetërore për qëllime private  është thelbësore për mbrojtjen e interesit publik.

 Çdo tentativë për ta kriminalizuar këtë mision përmes etiketimeve si “përndjekje”, “shantazh” apo “terrorizëm psikologjik”, është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së shtypit.

Po ashtu, ne theksojmë se pretendimet për “ndjekje të fëmijëve” nuk duhet të përdoren si mburojë emocionale për të mbuluar abuzime me pushtetin dhe burimet publike. Ne inkurajojmë çdo media të respektojë normat etike, por refuzojmë në mënyrë të prerë kriminalizimin e gazetarisë kritike dhe investiguese.

U bëjmë thirrje institucioneve publike, veçanërisht drejtuesve të lartë, që të ruajnë etikën e komunikimit, të garantojnë transparencën dhe të ndalojnë sulmet personale dhe institucionale ndaj gazetarëve.

Gazetarët nuk janë armiq të shtetit  janë syri dhe veshi i publikut. Ndaj nuk do të pranojmë në heshtje asnjë përpjekje për t’i intimiduar, përçmuar apo penguar në ushtrimin e detyrës së tyre”, shprehet AGSH në deklaratë.

Të fundit