Flash News

E-TJERA

Gazetari tregon se si e provokoi Ahmetaj Ramën për të siguruar azil politik

Gazetari tregon se si e provokoi Ahmetaj Ramën për të siguruar

Gazetari Sokol Bregu, teksa ka bërë një analizë të çështjes “Ahemtaj”, ka treguar se si ish-zëvendëskryeministri provokoi Ramën për të siguruar azil politik në Britaninë e madhe apo në vendet e Bashkimit Evropian.

I ftuar në “Top Story” në TCH, Bregu tha se Ahmetaj i dërgoi Ramës disa  mesazhe në intervista televizive, e thirri në një debat publik, dhe nga ana tjetër Rama iu kundërpërgjigj duke i thënë se “nëse do ishte ai gjyqtari gjërat do të shkonin ndryshe”.

Fill pas deklaratës së Ramës, në banesat e Ahmetajt zbarkon BKH, një ditë para se kur ishte planifikuar. Sipas gazetarit, vetëm me këtë fakt Ahmetaj mund të kërkojë azil politik në Britaninë e Madhe.

“SPAK-u e ka lëshuar urdhër-arrestin. Do të priten disa ditë dhe pastaj Arben Ahmetaj do të shpallet në kërkim ndërkombëtar. Por Ahmetaj është një politikan i vjetër dhe shumë finok. Gjatë kohës që po i përgatitej dosja ai thirri në distancë kryeministrin Edi Rama. E thirri në një debat publik sepse nuk mund të bënte një debat ‘tek e tek’ me të.

Nga një studio televizive i çoi disa mesazhe, për të cilat e dinte fare mirë që kryeministri i vendit nuk do të rrinte dot pa iu përgjigjur. Dhe Rama iu përgjigj duke thënë se: Po të isha unë gjyqtari gjërat do të rridhnin ndryshe.

Po atë ditë, në mënyrë të çuditshme BKH-ja shkon dhe bën kontrollin e bashkëjetueses së zotit Ahmetaj, një kontroll ky i parashikuar të bëhej një ditë më pas. Dhe vetëm me këtë fakt zoti Ahmetaj mund të marrë në një shtet siç është Britania e Madhe të drejtën për një azil politik. E dyshoj jashtëzakonisht se Ahmetaj e bëri pikërisht për këtë gjë. Ai kërkoi disa deklarata të kryeministrit ndaj tij. Pse kërkoi pikërisht Ramën do të thoni ju? Sepse për çështjen Ahmetaj, askush tjetër në PS, askush tjetër në qeveri, nuk do të thoshte asnjë fjalë ashtu sikurse nuk kanë thënë edhe për raste të tjera më parë.

Vetëm për shkak të këtij rasti z. Ahmetaj mund ta marrë një të drejtë qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian apo qoftë edhe Britaninë e Madhe ku mendohet se është. Ahmetaj mesa di unë ka kohë që rri atje, dy vitet e fundit e ka ndarë jetën e tij mes Tiranës dhe Londrës për arsye familjare dhe personale. Të mos harrojmë se në Britani drejtësia nuk i ka shumë qejf historitë e ndërhyrjes së politikës, kështu që kam përshtypjen se do t’ia japë azilin për të qëndruar aty”- tha Bregu.

Të fundit