Flash News

E-TJERA

Gazetarja: Grupet kriminale pastrojnë para në kulla e hotele luksoze

Gazetarja: Grupet kriminale pastrojnë para në kulla e hotele luksoze

Në SHBA u mbajt konferenca e 20-të Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, organizuar nga qeveria amerikane.

Gazetarja dhe njëherazi drejtuesja e zyrës për Evropën Juglindore, e Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar, Fatjona Mejdini, ka folur rreth asaj çka u diskutua në konferencë.

Në një intervistë, për Zërin e Amerikës, Mejdini u shpreh se korrupsioni në Shqipëri është mjaft i përhapur dhe sikurse në vendet e tjera, i vështirë për t’u luftuar. Mejdini tha se është vështirë që një instittucion i vetëm, SPAK-, të luftojë korrupsionin që shpesh ndërthuret me krimin e organizuar.

“Duhet të kuptojmë se korrupsioni është një femomen shumë i përhapur në Shqipëri, ka qenë dhe do të vijojë të jetë i përhapur. Dhe lufta ndaj tij është e vështirë edhe për vende më të mëdha dhe jo më për një vend si Shqipëria. Dua të theksoj faktin se në deklaratën finale të konferencës, u theksuan përpjekjet e një institucioni që është financuar nga qeveria amerikane, siç është SPAKU, në luftën kundër korrupsionit, dhe aty u theksua fakti që ish-ministra e deputetë sot i gjejmë pas hekurave. Por nga ana tjetër e kuptoj shumë mirë pyetjen tuaj, sepse sigurisht që duke patur tre dekada tranzicion, zhvillime dhe korrupsion, duket se shqiptarët sot më shumë se kurrë kërkojnë efekte të menjëhershme. Kërkojnë që SPAK-u apo edhe institucionet e tjera ta vijojnë punën për mos ta ndalur ritmin, por ama për të shkuar edhe më lart, për të goditur edhe më lart kur vjen puna tek çështjet e korrupsionit, por edhe krimit të organizuar sepse ndonjëherë janë bashkë. Kjo ndodh për shkak se një institucion i vetëm nuk mund ta luftojë korrupsionin. Unë mendoj që duhet të jetë një përpjekje e të gjithë shoqërisë, duke nisur që nga edukimi për kulturën e integritetit. Shoqëria si një e tërë të mobilizohet në çështjet kundër korrupsionit. Mendoj që vetëm në këtë moment ne mund të flasim për rezultate reale”, tha Mejdini.

Mejdini shtoi se grupet kriminale të cilat janë fuqizuar ndjeshëm në Shqipëri, pastrojnë para në hotele e kulla luksoze në bregdet dhe në Tiranë. Gazetarja shtoi se grupet kriminale janë fuqizuar ndjeshëm sidomos në arenën ndërkombëtare. 

“Duhet të kuptojmë që ashtu si me korrupsionin, Shqipëria ka një histori të gjatë me krimin e organizuar. Fakti që Shqipëria shpesh ka prodhuar shpesh grupe kriminale të forta, ka qënë për shkak të kësaj simbioze që korrupsioni ka zhvilluar me krimin e organizuar. Zyrtarë të korruptuar merrnin para nga persona të inkriminuar dhe nga ana tjetër, të inkriminuarit ofronin mbështetje për ta në fushata elektorale. Kjo ka qenë një histori e njohur shqiptare. Ajo që ne po shikojmë në këto momente është fuqizimi i krimit të organizuar jashtë kësaj skeme, në një skemë më të madhe ndërkombëtare. Ju e përmendët, kemi Amerikën Latine ku shqiptarët janë prezent, kemi qytetet më të mëdha evropiane ku ata gjithashtu janë të pranishëm. Por kemi edhe destinacione si Emiratet e Bashkuara Arabe ku këto grupe janë gjithashtu prezent. Është shumë interesante në fakt se çfarë do të bëhet për këtë çështje. Unë mendoj që, sot çfarë i lidh këto grupe kriminale me Shqipërinë është ana ekonomike, pastrimi i parave, kullat e larta që ndërtohen në Tiranë apo hotelet luksoze në bregdet. Mendoj se qeveria shqiptare, institucionet duhet të jenë të kujdesshme, sepse këto para të pista në fakt nuk e zhvillojnë vendin, por e deformojnë komplet tregun dhe zhvillojnë një konkurencë të pandershme”, u shpreh Mejdini.

 

Të fundit