Flash News

E-TJERA

Gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare të zhdukur në Itali

Gjendet trupi i pajetë i 35-vjeçares shqiptare të zhdukur

Pas disa muajsh kërkimesh intensive, është gjetur trupi i pajetë i Floresha Prengut, 35 vjeçe, me origjinë shqiptare dhe banim në Trento të Italisë, shkruajnë mediat italiane. 

E reja ishte raportuar e zhdukur më 22 tetor, pasi ishte parë për herë të fundit në qendër të qytetit të Trentos. Prej asaj dite, nuk kishte asnjë gjurmë apo informacion mbi fatin e saj, duke shkaktuar shqetësim të madh tek familja.

Trupi i pajetë i Floresha Prengut u gjet rreth 40 kilometra larg banesës së saj, përgjatë lumit Adige. Identifikimi u krye nga familjarët, të cilët deri në momentet e fundit kishin shpresuar për një përfundim tjetër të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Menjëherë pas zhdukjes, familja njoftoi policinë dhe mediat, duke bërë thirrje publike që kushdo që mund ta kishte parë të kontaktonte në numrin e emergjencës 112. Autoritetet italiane nisën menjëherë operacione kërkimi intensive, përfshirë kontrolle përgjatë lumit Adige si dhe kërkime ajrore me helikopter, por pa rezultate konkrete në javët e para.

Kërkimet u shtrinë edhe përtej kufijve të rajonit Trentino-Alto Adige, ndërsa të gjitha prefekturat italiane u vunë në dijeni për rastin. Ngjarja u pasqyrua gjerësisht edhe në mediat shqiptare, duke ngjallur reagime të forta dhe shqetësim të madh publik.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë fund tragjik.

Të fundit