Flash News


E-TJERA

Gjermania miraton marrëveshjen për emigracionin, Shqipëria në listën e vendeve të sigurta

Gjermania miraton marrëveshjen për emigracionin, Shqipëria

Emigracioni ishte një nga temat kyçe të fushatës elektorale në Gjermani dhe tashmë ka zënë vendin e vet edhe në marrëveshjen e koalicionit të ri që pritet të qeverisë vendin.

Në dokumentin e dakordësuar mes partive, theksohet se e drejta bazë për azil mbetet e pacënueshme, por nga ana tjetër janë përfshirë masa të reja për kontrollin dhe menaxhimin më rigoroz të flukseve migratore. “Do ta rregullojmë emigracionin duke e drejtuar në mënyrë të tillë që të kufizojmë emigracionin e paligjshëm”, thuhet në deklaratën e konservatorëve që kanë dhënë dakordësinë për formulime më të ashpra në këtë fushë.

Ndër masat kryesore të përfshira në marrëveshje janë:

Vazhdimi i kontrolleve kufitare në të gjithë territorin e Gjermanisë, derisa Bashkimi Europian të garantojë një mbrojtje të efektshme të kufijve të jashtëm;
Zgjerimi i listës së vendeve të sigurta të origjinës, çka do të thotë një proces më i shkurtuar dhe më i lehtë për refuzimin e kërkesave për azil nga shtetas të këtyre vendeve.
Aktualisht, në këtë listë përfshihen të gjitha vendet e BE-së dhe dhjetë shtete të tjera si Gjeorgjia, Gana dhe Kosova. Koalicioni synon ta zgjerojë më tej këtë listë me vende si Algjeria, India, Maroku dhe Tunizia.

Kjo nismë synon t’u lehtësojë autoriteteve gjermane procesin e shqyrtimit dhe refuzimit të kërkesave për azil nga personat që nuk vijnë nga vende me rrezik real për përndjekje. Në këto raste, është përgjegjësia e aplikantëve të provojnë se në vendin e tyre ekziston rreziku që përndjekja të jetë individuale dhe reale.

Marrëveshja e re pritet të sjellë debat, sidomos nga organizatat që mbrojnë të drejtat e emigrantëve, por mbetet një reflektim i presionit në rritje që po ndjen Gjermania për të menaxhuar më mirë flukset migratore në kuadër të politikave të brendshme dhe atyre europiane.

Të fundit