Flash News

E-TJERA

Premtoi punësim kundrejt parave, GJKKO dënon me 8 muaj burg Dritan Lleshin

Premtoi punësim kundrejt parave, GJKKO dënon me 8 muaj burg Dritan

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtor Dritan Lleshin për ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Bëhet me dije se Lleshi, i kishte premtuar një gruaje punësimin e djalit të saj si inspektor mjedisi, në këmbim të një shume monetare.

SPAK kërkoi dënimin e Lleshit me 1 vit burg, por për shkak të zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar, ai përfitoi ulje të dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht me 8 muaj burg.

Njoftimi i plotë

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurit Dritan Lleshi, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr. 43/2021, datë 14.05.2021)”.

Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela, me vendimin nr. 46, datë 24.06.2025, vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Dritan Lleshi për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.

Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke e dënuar përfundimisht me 8 (tetë) muaj burgim.

Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal, si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit do të fillojë të llogaritet nga dita e marrjes formë të prerë të vendimit dhe do të kryhet në një nga institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së zakonshme.

Në lidhje me provat materiale: aparati telefonik celular i markës “Samsung Galaxy J3 Eclipse”, me ngjyrë të zezë, me IMEI ****, t’i kthehet shtetasit A.N., konform nenit 190/1, germa “ç” të K.Pr.Penale.

Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, në masën 40,060 (dyzet mijë e gjashtëdhjetë) lekë, të seancës paraprake dhe gjatë gjykimit, i ngarkohen të pandehurit, në bazë të neneve 393/1 dhe 406/4 të K.Pr.Penale.

Kundër vendimit lejohet apel brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”

Të fundit