Flash News

E-TJERA

Gjykata e Lartë bëhet më 9 anëtarë, Ilir Meta dekreton emërimin e gjyqtarit Asim Vokshi

Gjykata e Lartë bëhet më 9 anëtarë, Ilir Meta dekreton

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar emërimin e Asim Vokshit si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

"Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, pas administrimit pranë Institucionit të Presidentit të Republikës në datë 23.07.2021, të propozimit të përcjellë me shkresën me nr. 3504/2 prot., datë 22.07.2021 dhe Vendimit nr. 322, datë 22.07.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për propozimin për emërim në Gjykatën e Lartë, të kandidatit z. Asim Vokshi”, shoqëruar me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë/emërimit në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës administrative, të shpallur për kandidim me vendimin nr. 245, datë 9.07.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, vendosa të: DEKRETOJ: Zoti Asim Vokshi emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë." thuhet në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit.

Në njoftimin e dërguar për mediat thuhet se Presidenti i Republikës, pavarësisht këtij dekretimi, shpreh rezervën e tij lidhur me veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Kuvendit të Shqipërisë, “mbi vonesat e pajustifikuara të krijuara në plotësimin e Gjykatës së Lartë me të gjithë trupën e nevojshme gjyqësore, të cilat dukshëm të krijojnë bindjen se trajtimi ligjor dhe administrativ i procesit të promovimit në karrierë në Gjykatën e Lartë të gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit, të cilët ishin dhe anëtarë të Kolegjit Zgjedhor, është zvarritur në mënyrë të qëllimtë, duke i mbajtur ata nën presion të vazhduar politik, deri sa anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përfundonin dhe të shpreheshin me vendim mbi procedurat ankimore që do t`u paraqiteshin si rezultat i ankimeve mbi procesin zgjedhor të 25 prillit 2021”.

Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 9 (nëntë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së. 4 ditë më parë presidenti Meta firmosi dekretin për emërimin e Artur Kalasë, si anëtari  i tetë në Gjykatën së Lartë.

Të fundit