Flash News

E-TJERA

Gjykata e Lartë dorëzon dosjen "Gërdeci" në SPAK, regjistrohet procedim penal për Fatmir Mediun

Gjykata e Lartë dorëzon dosjen "Gërdeci" në SPAK,

Gjykata e Lartë ka dërguar ditën e sotme dosjen "Gërdeci" në Prokurorinë e Posaçme. Kjo vjen pasi Apeli i GJKKO-së vendosi që të rikthente për hetim në SPAK këtë çështje, duke i hapur rrugë rigjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

SPAK ka bërë me dije se ka regjistruar procedim penal ndaj ish-ministrit, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak.

Në 24 shtator, gjyqtarja Saida Dollani vendosi të pranojë kërkesën e SPAK-ut, duke hedhur poshtë vendimin e gjyqtarit Erjon Çela.

Ky i fundit vendosi në korrik të rrëzonte kërkesën e SPAK-ut për të rihapur dosjen "Gërdeci". Kujtojmë që Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë mbi kërkesën e SPAK për të nisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Ajo ia kaloi çështjen GjKKO-së me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë. Shpërthimi në Gërdec shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen dhjetëra të tjerëve.

Njoftimi i SPAK-ut:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në zbatim të vendimit nr. 205, datë 24.09.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të z. Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu.

Të fundit