Flash News

E-TJERA

Gjykata e Lartë u plotësua me 10 gjyqtarë/ Reagon Kim e Soreca: Tashmë mund të emërohen anëtarët e ‘Kushtetueses’

Gjykata e Lartë u plotësua me 10 gjyqtarë/ Reagon Kim e Soreca:

Presidenti Ilir Meta dekretoi sot gjyqtaren Arbena Ahmetin, duke plotësuar me dhjetë numrin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Pas dekretimit ka reaguar ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim dhe ai i BE-së, Luigi Soreca.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e institucioneve për zbatimin e Reformës në Drejtësi, Kim thotë se rritja e funksionalitetit të Gjykatës së Lartë do të sjellë edhe plotësimin e anëtarëve të nevojshëm në Gjykatën Kushtetuese.

“Mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm të institucioneve për të vënë në zbatim reformën në drejtësi, përfshi edhe emërimin nga Presidenca të gjyqtarit të dhjetë në Gjykatën e Lartë. Rritja e funksionalitetit të Gjykatës së Lartë e lejon që të emërojë edhe një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese”, shkruan Kim në Twitter.

Në të njëjtën linjë edhe Soreca vë theksin se Gjykata e Lartë tashmë ka numrin e nevojshëm për emërimin e gjyqtarëve të “Kushtetueses”. Përmes një postimi në Twitter, ai thotë se ky është një hap i rëndësishëm në konsolidimin e Reformës në Drejtësi.

“Ne mirëpresim emërimin e sotëm nga presidenti Ilir Meta të anëtarit të 10-të të Gjykatës së Lartë, i cili tashmë ka arritur kuorumin për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në konsolidimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri!”-shkruan Soreca.

 

Të fundit