Flash News

E-TJERA

Gjykata e pezulloi nga detyra, Armand Duka shtyn zgjedhjet në FSHF

Gjykata e pezulloi nga detyra, Armand Duka shtyn zgjedhjet në FSHF

Gjykata e Tiranës vendosi dje pezullimin nga detyra të kreut të FSHF-së Armand Duka dhe zyrtarë të tjerë të federatës.

Në një reagim në Facebook, Duka shprehet se duke marrë në konsideratë debatet dhe vendimet gjyqësore, ka vendosur t’i kërkojë Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, shtyrjen e zgjedhjeve për kreun e FSHF për një datë tjetër.

“Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së: miratimin e bilancit financiar, miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur dhe zgjedhjet për organet drejtuese, për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.

Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t'i propozoj dhe do t'i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.

Uroj që kjo periudhë t'i shërbej një procesit të rregullt statutor dhe gjithë kandidatëve për të shpalosur platformat e tyre përballë komunitetit të futbollit”, shkruan Duka.

Gjykata e Tiranës vendosi më herët edhe pezullimin e zgjedhjeve të datës 2 mars për kreun e FSHF-së, deri në zgjidhjen me vendim të prerë të konflikteve ose pretendimeve për parregullsi dhe manipulime në zgjedhjet e kryetarëve dhe anëtarëve të Shoqatave Rajonale të Futbollit.

Të fundit