Flash News

E-TJERA

Gjykata e Posaçme dënon ish-kryebashkiakun e Finiqit

Gjykata e Posaçme dënon ish-kryebashkiakun e Finiqit

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish-kryetarin e Bashkisë së Finiqit, Leonidha Hristo, për veprën penale “shpërdorim detyre”. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dhe rrethanave lehtësuese, dënimi i tij është reduktuar me 1/3, duke u finalizuar në 2 vite heqje lirie.

Sipas hetimeve të SPAK, Hristo dyshohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, gjatë periudhës 2017-2019 ka zhvilluar disa procedura prokurimi në mënyrë fiktive dhe në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike.

Hetimet kanë nxjerrë në pah se përpilimi dhe administrimi i dokumentacionit të tenderave, si dhe vlerësimi i ofertave, është kryer kryesisht nga Florian Peri dhe Stavro Çavo, dhe jo nga anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të caktuar zyrtarisht me urdhrat përkatës.

Organi hetues bën me dije se, sipas akteve, titullari i autoritetit kontraktor, Leonidha Hristo, ka ngarkuar persona të tjerë për përgatitjen e dokumenteve, të cilat më pas janë nënshkruar nga zyrtarë të Bashkisë Finiq, në një kohë të mëvonshme pas përfundimit të procedurave të prokurimit.

Ndërkohë, për të akuzuarit e tjerë për të cilët SPAK ka shpallur moskompetencën, hetimet po vijojnë në Prokurorinë e Sarandës. Mes tyre përfshihen Florian Peri, Stavro Çavo, Lefteria Mekshi dhe Lefter Karajani.

Të fundit