Flash News

E-TJERA

Gjykata e Posaçme lë në qeli Florenc Çapjan, zbardhet dëshmia

Gjykata e Posaçme lë në qeli Florenc Çapjan, zbardhet

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Florenc Çapjan, i cili u ekstradua disa ditë më parë nga Dubai. 44-vjeçari akuzohet për veprën penale “sigurim i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim ndaj Sokol Sanxhaktarit.

Para togave të zeza, Çapja mohoi përfshirjen në ngjarje dhe i kërkoi prokurorisë të paraqesë prova konkrete për të mbështetur akuzat.

Çapja ishte arratisur në Dubai prej rreth 8 vitesh, ku qëndronte i lirë, duke përfituar nga mungesa e një marrëveshjeje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Megjithatë, pas një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, ai u ekstradua dhe tashmë ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin e përjetshëm.

Sipas hetimeve, Florenc Çapja është nipi i Ardian Çapjas, kreut të një grupi të njohur kriminal në Elbasan, i cili për vite me radhë ka qenë në konflikt të përgjakshëm me grupin rival të Suel Çelës.

Florenc Çapja u dënua si porositës i vrasjes makabre të babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në banesën e tyre në Elbasan. Zbardhja e krimit erdhi pas dëshmisë së njërit prej autorëve të atentatit, i cili deklaroi se Çapja ishte takuar me ta në zonën e Krrabës dhe kishte ofruar 50 mijë euro për kryerjen e vrasjes. Për të humbur gjurmët, Florenc dhe Ardian Çapja janë larguar drejt Maqedonisë së Veriut menjëherë pas ngjarjes.

Hetimet për këtë dosje mbeten ende të hapura, ndërsa SPAK po verifikon lidhjet e tjera të mundshme të grupit kriminal Çapja me ngjarje të rënda që kanë tronditur Elbasanin dhe më gjerë.

Të fundit