Flash News

E-TJERA

Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë zbatimit të marrëveshjes për Butrintin, zbardhet vendimi i plotë

Gjykata Kushtetuese i hapi rrugë zbatimit të marrëveshjes

Zbardhet vendimi nga Gjykata Kushtetuese, e cila pak ditë më parë vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shfuqizimin e marrëveshjes midis qeverisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF për lënien në menaxhim të Parkut Kombëtar të Butrintit për 10 vjet.

Kërkuesit e cilësuan marrëveshjen të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe kërkuan pezullimin deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftim thuhet se gjykata ka arritur në përfundimin se ka juridiksion për shqyrtimin e ligjit miratues nr. 50/2022. “Për sa i përket marrëveshjes për administrimin e Parkut Kombëtar të Butrintit ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, pavarësisht natyrës jo normative të këtij akti, Gjykata pranoi juridiksionin e saj për shqyrtimin e tij. Në këtë drejtim, Gjykata pati parasysh jo vetëm se ky akt ka veshje formale me ligj për shkak të miratimit nga Kuvendi, por edhe natyrën kushtetuese të pretendimeve të ngritura nga kërkuesi, të cilat ajo i ka konsideruar si përcaktuese të juridiksionit kushtetues”, shprehet Gjykata Kushtetuese dhe rendit në vijim qëndrimin për pretendimet e kërkuesve.

Po ashtu gjykata argumenton se marrëveshja nuk vë në dyshim natyrën e pasurisë kulturore, objekt i Marrëveshjes së Administrimit dhe vlerat e jashtëzakonshme të saj.

“Gjykata vlerëson të theksojë se ajo nuk vë në dyshim natyrën e pasurisë kulturore objekt i Marrëveshjes së Administrimit (Parku Kombëtar i Butrintit) dhe vlerat që ka kjo pasuri në drejtim të identitetit dhe trashëgimisë kulturore, ashtu edhe vlerat e jashtëzakonshme universale të saj, dhe as detyrimin e shtetit për të garantuar dhe mbrojtur këto vlera të jashtëzakonshme, si në kuptim të nenit 3 të Kushtetutës, për sa kohë që ato përfaqësojnë bazat e shtetit, ashtu edhe në kuadër të detyrimeve ndërkombëtare. Po kështu, bazuar në sa më sipër, Gjykata nuk vë në dyshim as skemën e administrimit indirekt të miratuar nga ligji nr. 27/2018, për sa kohë që ky model rezulton të jetë i lejueshëm nga neni 3 i Kushtetutës dhe parashikimet e Konventës së Parisit, pasi në përmbushje të delegimit kushtetues ligjvënësi ka ndërhyrë për parashikimin e regjimeve të posaçme për përdorimin dhe shfrytëzimin e këtyre pasurive, me qëllimin që të sigurohen format”, thuhet në vendim. 

Gjykata argumenton mes të tjerash se marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij në drejtim të identifikimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

“Bazuar në sa më sipër, në vlerësimin e të drejtave, detyrimeve dhe kompetencave të secilës palë, në kuptim të termave të administrimit që përcaktohen në Marrëveshjen e Administrimit objekt gjykimi, Gjykata arrin në përfundimin se, nga njëra anë, për nga natyra e tyre, të drejtat e FMB-së nuk tejkalojnë ato të një administrimi të zakonshëm dhe, nga ana tjetër, marrëveshja nuk e zhvesh shtetin nga roli i tij parësor në drejtim të identifikimit, mbrojtjes, konservimit, prezantimit dhe transferimit të vlerave të trashëgimisë kulturore, por ruan dhe garanton këtë rol, i cili ushtrohet përmes formave të ndryshme të kontrollit të veprimtarisë së administrimit indirekt, për sa kohë që FMB-së nuk i është njohur ndonjë status i privilegjuar ligjor, duke iu nënshtruar ky entitet parashikimeve ligjore të zbatueshme, ashtu si çdo entitet tjetër i së drejtës”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Gjykatës.

 

Dokumenta bashkëngjitur

Të fundit