Flash News

E-TJERA

Gjykata Kushtetuese plotësohet me 9 anëtarë, zgjidhet zëvendësuesja e Tushes

Gjykata Kushtetuese plotësohet me 9 anëtarë, zgjidhet

Gjykata e Lartë ka zgjedhur sot anëtarin e nëntë të Gjykatës Kushtetuese. Holta Zaçaj do të marrë vendin e zëvendëskryetares Vitore Tusha.

Përballë Zaçajt e cila mori 84.7 pikë, ishte Elsa Miha e cila grumbulloi 82 pikë. Me zgjedhjen e anëtarit të ri Gjykata Kushtetuese arrin numrin e plotë prej 9 anëtarësh.

“Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës, nenin 7/ç të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe Rregullores së miratuar nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, sot në datë 16 janar 2023, ora 09.30, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë zhvilloi procedurën e votimit për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, bazuar në listën e dërguar për këtë qëllim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Në përfundim të procesit të votimit, rezultoi se kandidatja Holta Zaçaj mori 6 (gjashtë) vota dhe kandidatja Elsa Miha mori 6 (gjashtë) vota, ndërkohë që  3 (tre) vota u shpallën të pavlefshme.

Në zbatim të nenit 7/ç, pika 4, ku thuhet: “Për çdo vend vakant votohet për secilin nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Kandidati që merr tri të pestat e votave të gjyqtarëve të pranishëm shpallet i zgjedhur. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur”, komisioni deklaroi fituese kandidaten Holta Zaçaj.

Në këto kushte, Mbledhja e Posaçme e gjyqtarëve vendosi që znj. Holta Zaçaj zgjidhet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

Ky vendim i njoftohet menjëherë, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit të Republikës, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe i dërgohet për botim Qendrës së Publikimeve Zyrtare”, thuhet në njoftim.

 

Të fundit