Flash News

E-TJERA

Gjyqi për vulën e PD, Manjani i përgjigjet KLGJ: Kulmi! Ju besojeni këtë drejtësi, por jo 70% e shqiptarëve

Gjyqi për vulën e PD, Manjani i përgjigjet KLGJ: Kulmi! Ju

Ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor e ciliësoi  shqetësuese dhe të papranueshme  gjuhën kundër gjyqtarëve  pas vendimit për vulën e PD-së nga Gjykata e Apelit.

Sipas Manjanit, në një status në Facebook, aludimet publike e dëmtokan besimin te drejtësia, ndërsa dhunimi i hapur i ligjit nga Gjykata e Apelit e cila pranon një ankim të një personi që nuk ishte palë në gjykim,e rregullon besimin te drejtësia.

Reagimi i KLGJ-së:  

Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj një vendimi të dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton me keqardhje se ky nuk është një rast i izoluar i mosrespektimit të dinjitetit të gjyqtarit, një kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës.

Gjuha e urrejtjes kundër gjyqtarëve është shqetësuese dhe e papranueshme. Thirrjet publike për vetëgjyqësi, ndaj një akti të pushtetit gjyqësor, pavarësisht mos dakordësisë me të, janë haptazi kundër rendit kushtetues, mbi bazën e të cilit funksionon shteti i së drejtës.

Aludimet për “kapje” të gjyqtarëve, referojnë elementë të korrupsionit që, në mungesë të fakteve, minojnë rëndë besimin te drejtësia dhe autoritetin e pushtetit gjyqësor.

Liria e shprehjes e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk mbron në asnjë rast gjuhën e urrejtjes apo thirrjet për dhunë.

Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo përbaltja e gjykatës, apo e gjyqtarit.

Po ashtu, kushdo që vjen në dijeni të një veprimtarie apo sjellje të gjyqtarit që mund të përbëjë shkelje disiplinore sipas ligjit, ka mundësinë që rastin t’ia referojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar dhe vendosur nëse është vendi për fillimin e procedimit disiplinor të gjyqtarit.

Reagimi i Manjanit:

Jo mor jo!

Aludimet publike e dëmtokan besimin te drejtësia, ndërsa dhunimi i hapur i ligjit nga Gjykata e Apelit e cila pranon një ankim të një personi që nuk ishte palë në gjykim,e rregullon besimin te drejtësia!

Po mirë, le të themi se s’qënka e kapur drejtësia, pse e dhunojnë ligjin, kushtetutën e demokracinë në vend ata për sport?!

Apo për qejf?!

Allah, allah...

Shikoni,  në daç besojeni në daç jo, atë që ka bërë gjykata e apelit me rastin e vulës është rrëzim i gjithë drejtësisë jo thjesht i besimit tek ajo!

Është vendosje e saj nën hyqmin e pushtetit, kundër parimeve të shtetit.

Është vendosje e gjykatës kundër rendit demokratik në vend dhe qartësisht në dhunim masiv të të drejtës së gjysmës së votuesve për të votuar.

Kështu që KLGJ, le ta besojë vetë po të dojë këtë gjykatë e këtë drejtësi, se njeri tjetër s’ka shans. 

Ka kohë që Barometri dhe çdo matje tjetër tregojnë qartë se mbi 70% e shqiptarëve nuk besojnë se ka gjykatë të pavarur.

Oj, të kërkojnë edhe hesap pse kritikohet gjykata, në vend të kërkojnë ndjesë dhe të korrektojnë sjelljen e gjyqtarëve në raport me ligjin!!

Kulmi!

 

Të fundit