Flash News

E-TJERA

“Gjyqtarët po lirojnë kriminelët”, Gjykata e Vlorës i përgjigjet Çuçit: Këto deklarata nuk i shërbejnë drejtësisë

“Gjyqtarët po lirojnë kriminelët”, Gjykata e

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë i është përgjigjur ministrit të Brendshëm Blendi Çuçit i cili akuzoi prokurorë e gjyqtarë se po lirojnë kriminelët.

Në reagimin e saj publik, gjykata shkruan se deklarata të tilla nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve.

“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021, në ngarkim të shtetasit E. B, ju informojmë se:

Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar cështja me nr. 159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të shtetasit E. B. , akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.

Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021, ka qënë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale.

Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria.

Sqarojmë se, deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve.

Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj”, thuhet në reagimin e gjykatës.

Ministri i referohet rastit të Edison Begajt, të cilit pak muaj më parë iu bë atentat në derën e shtëpisë në sy të fëmijëve.

Pas pak ditësh u vu në arrest me armë zjarri me vete. Pas arrestimit ai u la nga gjykata me masën ‘arrest shtëpie’ nga Prokurorja e Vlorës, Elona Alvora dhe Gjyqtari i Vlorës Albert Spiro.

Kujtojmë se sot ministri Çuçi ka drejtuar gishtin nga prokurorët dhe gjyqtarët si përgjegjës për ngjarjet e rënda kriminale që janë shënuar në vend.

Në një konferencë për shtyp, një ditë pas ngjarjes së rëndë që u regjistrua në Velipojë, ku u vranë 4 persona, pas një sherri për vendosjen e shezlongeve në plazh, Çuçi tha se policia ka për detyrë parandalimin e ngjarjeve kriminale, por jo dënimin e personave që kapen në shkelje të ligjit. Sipas tij, gjyqtarët e prokurorët që akoma nuk e kanë kaluar vetingun, po lirojnë nga burgu personat që kapen në shkelje të ligjit.

 

Të fundit