Flash News

E-TJERA

Goditet grupi kriminal që hidhte në treg euro false në Tiranë, 4 të arrestuar dhe një në kërkim

Goditet grupi kriminal që hidhte në treg euro false në

Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të falsifikimit dhe shpërndarjes së kartëmonedhave euro false, duke arrestuar katër persona, mes tyre edhe një 17-vjeçar, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Operacioni i koduar “Wrong Delivery”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nën drejtimin e Prokurorisë, çoi në sekuestrimin e 11 pakove me kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara që po tërhiqeshin në një pikë poste në kryeqytet.

Autorët dyshohet se përdornin identitete tregtare të rreme për të maskuar aktivitetin e tyre. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të skemës.

Njoftimi i policisë:

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Ërong Delivery”, me qëllim goditjen e veprimtarisë kriminale të falsifikimit të kartëmonedhave.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. B, 19 vjeç, banues në Shkodër; një i mitur 17 vjeç, banues në Tiranë; S. L, 26 vjeç, banues në Tiranë dhe E. A, 19 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi A. P, 19 vjeç, banues në Krujë.

Shtetasit S. L., E. A. dhe i mituri u kapën në flagrancë në momentin që po tentonin të tërhiqnin në një postë në Tiranë, 11 pakot që përmbanin kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Këto dërgesa kryheshin nga shtetasi A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të maskuar veprimtarinë dhe për të shpërndarë kartëmonedhat e falsifikuara.

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, A. P., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Të fundit