Flash News

E-TJERA

Goditet rrjeti i mafias së d*ogës në Foggia, në qendër të hetimit një shqiptar, 'koka' e trafikut

Goditet rrjeti i mafias së d*ogës në Foggia, në qendër

Një operacion i gjerë i Karabinierëve, i koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Barit (DDA), ka çuar në arrestimin e 24 personave të dyshuar si pjesë e një rrjeti të strukturuar trafiku droge, me shtrirje nga Foggia në disa rajone të Italisë qendrore dhe veriore.

Në qendër të hetimit ndodhet Shaban Shima, 36 vjeç, shtetas shqiptar i transferuar në Foggia, i konsideruar nga hetuesit si figura kyçe e furnizimit me kokainë dhe kanabis.

Hetimi dokumenton marrëdhënie të drejtpërdrejta mes Shimës dhe qarqeve të larta kriminale të mafias së Foggias, përfshirë klanin Trisciuoglio–Tolonese. Biseda të përgjuara në lokalin “La Banda”, në Piazza Padre Pio në Foggia, e tregojnë Shimën duke diskutuar për pazare droge me Rocco Soldo, dhëndrin e Raffaele Toloneses, i njohur si “Rafanill”, kreu aktualisht në liri i klanit mafioz.

Sipas prokurorisë, këto biseda nuk ishin mburrje, por provë e nivelit të lartë të marrëdhënieve kriminale dhe e rolit aktiv të Shimës në trafikimin e sasive të mëdha droge. Ai dyshohet se ishte në gjendje të lëvizte nga 5 deri në 10 kilogramë drogë për çdo furnizim, me një volum të vlerësuar deri në 40 mijë doza në muaj dhe fitime që arrinin deri në 200 mijë euro.

Hetimi nisi nga një procedim paralel ndaj Anna Toloneses, motra e Raffaele Toloneses, e arrestuar në shtator 2024 për fajde. Nga aty, hetuesit zbuluan një rrjet të përbërë nga shtetas italianë, shqiptarë, rumunë, gjeorgjianë dhe moldavë, aktivë në Foggia, San Giovanni Rotondo, Ostuni, Rieti, Parma dhe zona të tjera.

Gjyqtarja e hetimeve paraprake, Marialuisa Bencivenga, duke pranuar kërkesat e prokurorit Alessio Marangelli, urdhëroi masën e arrestit me burg për 19 persona dhe arrest shtëpie për 5 të tjerë. Në total, 35 persona janë nën hetim. Më 7 janar pritet që gjykata të marrë në pyetje edhe 9 persona të tjerë, për të vendosur nëse do të ketë masa shtesë sigurie.

Mes të arrestuarve janë disa figura të njohura për hetuesit, përfshirë Marzio dhe Paolo Padalino nga Foggia, Alessio Lioce i njohur si “Pupo”, Savino Defazio nga Cerignola, Vincenzo Gemma i quajtur “Plaku”, si dhe vetë Shaban Shima, tashmë në burg. Arrest shtëpie është vendosur edhe për Mimmo Falco, i lidhur sipas hetimeve me klanin Sinesi–Francavilla.

Sipas urdhrit paraprak prej 474 faqesh, Shima identifikohet si “forca lëvizëse” e një organizate të strukturuar që siguronte, paketonte dhe shpërndante kokainë me cilësi shumë të lartë. Droga blihej me mbi 22 euro për gram dhe rishitej me çmime që shkonin nga 30 deri në 50 euro. Një nga sekuestrimet dokumentoi 2 kilogramë kokainë me origjinë nga Bolivia, me pastërti deri në 96 për qind.

Hetuesit konstatuan gjithashtu përdorimin e ndarjeve të fshehta në automjete, kriptofonëve dhe kanaleve të sofistikuara për transferimin e parave drejt Shqipërisë, përmes shoferëve autobusësh dhe kamionistëve. Gjatë një kontrolli në Rrugën Shtetërore 16, u sekuestruan 40 mijë euro cash.

 

Të fundit