Flash News

E-TJERA

Gonzato takon përfaqësuesit e PD, në fokus te reformat zgjedhore dhe territoriale

Gonzato takon përfaqësuesit e PD, në fokus te reformat zgjedhore

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato u ka bërë thirrje palëve politike për bashkëpunim dypartiak në miratimin e reformave kyçe, si ajo zgjedhore dhe territoriale, të domosdoshme për rrugën evropiane të vendit.

Ky mesazh u përcoll gjatë një takimi të mbajtur në Tiranë me ambasadorët e tjerë të BE-së dhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike, deputetët Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi.

Në një postim në platformën sociale X, Ambasadori Gonzato e cilësoi diskutimin si "të hapur dhe të sinqertë", duke theksuar se avancimi i Shqipërisë drejt BE-së varet nga zbatimi i reformave të qëndrueshme.

Ai nënvizoi se ky objektiv kërkon një proces legjislativ transparent dhe gjithëpërfshirës. 

“Sot, në zyrat e Delegacionit të BE-së, zhvillova një diskutim të hapur dhe të sinqertë me ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së në Shqipëri, si dhe me znj. Jorida Tabaku dhe z. Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike. Shkëmbyem mendime mbi reforma kyçe që kërkojnë mbështetje dypartiake, si reforma zgjedhore dhe ajo territoriale, si dhe mbi pjesëmarrjen demokratike në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Një proces legjislativ transparent dhe gjithëpërfshirës në Parlament, përmes angazhimit aktiv dhe konstruktiv të të gjitha grupeve parlamentare, si dhe konsultimet kuptimplota me përfaqësuesit e shoqërisë civile, janë thelbësore që Shqipëria të miratojë reforma të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve të saj”, shkruan Gonzato në X.

Të fundit