Flash News

E-TJERA

Halimi: Së shpejti priten zhvillime për ekstradimin e të shumëkërkuarve të drejtësisë që strehohen në Dubai

Halimi: Së shpejti priten zhvillime për ekstradimin e të

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi ka deklaruar se shumë shpejt do të ketë zhvillime sa i përket ekstradimit të të shumëkërkuarve të drejtësisë shqiptare që strehohen në Dubai.

Edhe pse pranoi se ka shumë pak shanse që midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të nënshkruhet një marrëveshje ekstradimi, Halimi sqaroi në A2 CNN se ka informacione se po punohet për të gjetur instrumente ligjore që i hapin rrugën ekstradimit të eksponentëve të krimit.

“Emiratet e Bashkuara kanë një situatë të ndryshme. Ne kemi një zyrë atje që shërben për çështjet civile tregtare dhe jo penale. Megjithatë kontaktet e përhershme dhe vizitat që bëj në mënyrë të vazhdueshme më japin mundësinë të kem informacion të vazhdueshëm nga kolegët. Emiratet nuk kanë marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë dhe nga informacionet që unë kam nuk shoh të ketë një marrëveshje të shpejtë për tu nënshkruar. 

Megjithatë ka zhvillime interesante. Nuk besoj që Dubai do të jetë më strehë e personave dhe për shumë kohë. EUROPOL-i ka hapur një zyrë të re para 6 muajsh në Dubai dhe po punon së bashku me autoritetet e Dubait dhe vendeve që ata kërkojnë, përfshirë Shqipërinë, Gjermaninë dhe vende të tjera, duke menduar dhe trajtuar me disa instrumente të tjera.

Pra, marrëdhënia e organeve ligjzbatuese shqiptare, gjermane, italiane, belge, spanjolle me Emiratet e Bashkuara ndoshta nuk do të kalojë përmes marrëveshjeve të ekstradimit, por do të kalojë përmes disa instrumenteve të ndryshme nga marrëveshja e ekstradimit, për të cilën në dijeninë time autoritetet e Emirateve po punojnë. Dhe do të ketë zhvillime, marrje të personave, tërheqje përmes instrumenteve ligjorë”, tha Halimi. 

Të fundit