Flash News

E-TJERA

Hekurudha Shqiptare shkurton 47 vende pune, preken punonjësit e mirëmbajtjes

Hekurudha Shqiptare shkurton 47 vende pune, preken punonjësit e

Një tjetër valë shkurtimesh ka goditur sektorin hekurudhor në Shqipëri. Nga dita e sotme, 47 punonjës të Hekurudhës Shqiptare janë zyrtarisht të papunë, pas një vendimi për reduktim të vendeve të punës në kuadër të një ristrukturimi të brendshëm.

Sipas burimeve nga vetë punonjësit, atyre u është komunikuar gojarisht të premten e kaluar që të paraqiteshin në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës në Durrës, ku më pas u është dorëzuar njoftimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.

Të prekurit nga ky vendim janë punonjës të mirëmbajtjes në linjën hekurudhore të Bajzës, e cila aktualisht funksionon pjesërisht, duke transportuar zhavorr drejt Malit të Zi 2–3 herë në javë.

Në mesin e të shkarkuarve ka edhe punonjës që i afrohen moshës së pensionit, disa prej të cilëve vetëm 6 muaj larg përfitimit të tij. Ata shprehen të indinjuar që shkurtimet kanë prekur vetëm sektorin e mirëmbajtjes, ndërsa stafi teknik dhe drejtues vijon të jetë në marrëdhënie pune.

Në njoftimin zyrtar të shkarkimit thuhet se vendimi është marrë “për shkak të shkurtimit të vendit të punës sipas strukturës së re organizative”, dhe mbështetet në vendimmarrje të mëparshme të Administratorit të shoqërisë “Hekurudha Shqiptare sh.a” dhe Këshillit Mbikëqyrës.

Punonjësit kanë të drejtë ankese brenda një afati 5-ditor, sipas procedurave ligjore në fuqi.

Burime jozyrtare bëjnë me dije se linja hekurudhore është mbajtur funksionale vetëm deri më 13 qershor, për të përballuar fluksin e pelegrinëve drejt Kishës së Laçit, pas së cilës ajo është konsideruar joefikase për operim të mëtejshëm./BW

Të fundit