Flash News

E-TJERA

Heqja e aboneve/ Dorëzohet në bashkinë e Tiranës peticioni me 11 mijë firma; tre ditë afat për të reaguar, ndryshe protesta

Heqja e aboneve/ Dorëzohet në bashkinë e Tiranës peticioni

Ditën e sotme është dorëzuar në Bashkinë e Tiranës peticioni që kërkon kthimin e abonesë së përgjithshme, përmirësimin e cilësisë së transportit urban, si dhe përgjysmimin e çmimit të abonesë për kategori të caktuara.

Ky peticion është ndërmarrë nga Organizata Politike pas vendimit të Bashkisë Tiranë për heqjen e abonesë së përgjithshme dhe sipas organizatorëve, peticioni është firmosur nga 11 mijë qytetarë.

Sipas organizatorëve, qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të tradhëtuar nga heqja e abonesë, dhe e cilësojnë si një veprim prej batakçiu.

Organizatorët deklarojnë se Bashkia e Tiranës ka tre ditë afat, deri të enjte për të reaguar, ose në të kundërt do të zhvillojnë protesta ditën e premte. 

Deklarata e plotë:

Jemi sot këtu, para Bashkisë Tiranë, për të dorëzuar peticionin e nënshkruar nga 11.000 qytetarë të cilët kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të abonesë së përgjithshme, përmirësimin e gjendjes së transportit publik urban dhe përgjysmimin çmimit të abonesë së përgjithshme për të papunët, pensionistët dhe punëtorët me pagë minimale.

Këto 11.000 nënshkrime janë mbledhur për një kohë rekord: për vetëm tetë ditë! Pesë vite më parë, kur çmimi i biletës së urbanit u rrit nga 30 në 40 lekë, kryebashkiaku Veliaj premtoi përmirësim të gjendjes së transportit urban, por pesë vite më vonë gjendja e autobusëve jo vetëm që është përkeqësuar, por tanimë Veliaj ka hequr edhe abonenë e përgjithshme.

Qytetarët ndihen të gënjyer dhe të tradhëtuar nga heqja e abonesë. Para fushatës elektorale çmimi i saj u ul, ndërsa pas saj ajo u hoq fare, duke rënduar më së shumti xhepat e qytetarëve të varfër dhe punëtorëve që detyrohen të përdorin dy linja. Ky nuk është një veprim prej qeveritari, por një bëmë prej batakçinjsh.

Çdoherë që Veliaj dhe ortakët e tij në pushtet premtojnë reforma, ‘‘çuditërisht’’ xhepat e qytetarëve zhvaten edhe më shumë. Reforma, e cila duhet të përmirësonte kushtet e jetesës për qytetarët, në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë është një fjalë e frikshme, sepse paralajmëron vjedhjen dhe zhvatjen.

Ne i japim tre ditë kohë Bashkisë Tiranë për të ndërmarrë hapa që plotësojnë kërkesat tona, përndryshe, ne aktivistët e Organizatës Politike së bashku me qytetarë të Tiranës do të protestojmë për të rifituar të drejtat dhe dinjitetin që na takon. Nëse deri ditën e enjte Bashkia e Tiranës nuk denjon të përgjigjet, ne do të organizojmë ditën e premte një protestë para këtyre dyerve.

Të fundit