Flash News

E-TJERA

Hero në Greqi/ Emigranti shqiptar shpëton dy fëmijë nga mbytja në lumë

Hero në Greqi/ Emigranti shqiptar shpëton dy fëmijë nga
Një akt heroik ka ardhur nga një emigrant shqiptar në Greqi, i cili ka shpëtuar dy fëmijë të mitur nga mbytja në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës. Ngjarja ndodhi mesditën e së mërkurës dhe është raportuar gjerësisht nga mediat greke.

Levia Goga, një emigrant shqiptar, ndodhej në një kafene kur një i ri me motor u afrua duke bërtitur se dy fëmijë po mbyteshin në lumë. Pa hezituar, Goga mori makinën dhe u nis me shpejtësi drejt vendngjarjes, duke treguar kurajë dhe humanizëm të jashtëzakonshëm.

U hodha pa menduar. Herën e parë nuk pashë gjë. Herën e dytë u zhytja tetë metra thellë, e pashë djalin. Ishte i shtrirë në fund, fytyra e nxirë, si i vdekur. E kapa me zor dhe e nxora. Kur më thanë se kishte edhe një tjetër, u hodha sërish. E gjeta të shtrirë me shpinë. I dilte gjak nga goja dhe hunda. U tremba shumë,” rrëfen ai për mediat greke.

Goga arriti t’i nxirrte të dy fëmijët nga uji, në një kohë që çdo sekondë ishte vendimtare. Ai nuk e fsheh dot emocionin kur flet për ndjesitë e momentit:

Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje. Të jetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Edhe fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…

Falë ndërhyrjes së tij, të dy fëmijët janë shpëtuar nga mbytja dhe i janë dorëzuar ekipeve mjekësore për trajtim të mëtejshëm. Akti i Levian Gogës është përshëndetur nga komuniteti lokal dhe ka prekur opinionin publik në të dy vendet, duke shënuar një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi dhe guximi.

Të fundit