Flash News

E-TJERA

Shfuqizohen 3 vitet, zëvëndësdrejtori i policisë: Kush shkel orën policore i pezullohet patenta për 30 ditë

Shfuqizohen 3 vitet, zëvëndësdrejtori i policisë: Kush shkel
Albert Dervishaj

Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka dhënë një deklaratë mbi masat anti-covid, që do të hyjnë në fuqi nesër.

Ai njoftoi se të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit për një periudhë tre vjeçare, të shoqëruara me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, do të zëvendësohen me gjobë ose me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë.

“Referuar nenit 2 të Aktit Normativ, masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh.

Njoftojmë qytetarët shqiptarë që kanë pasur një dënim administrativ të tillë që në zbatim të Aktit Normativ, të drejtohen në strukturat respektive të Policisë Rrugore (OASH), ku kanë marrë vendimin e dënimit administrativ për pezullimin e lejes së drejtimit apo bllokimin e mjetit, për të kryer procedurat përkatëse të tërheqjes së tyre, nëse kanë plotësuar afatin 30 ditor", tha Dervishaj.

Ky i fundit shtoi se pavarësisht se lëvizja do të lejohet deri në orën 23.00, duhet të zbatohet rregulli për muzikën, që nuk është e lejuar pas orës 22.00.

Të fundit