Flash News

E-TJERA

HRW thirrje BE-së dhe Britanisë: Mos e ktheni Ballkanin në depo për emigrantët

HRW thirrje BE-së dhe Britanisë: Mos e ktheni Ballkanin në depo

Human Rights Watch (HRW) i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndalojnë së trajtuari Ballkanin si një vendgrumbullim për emigrantët dhe azilkërkuesit, duke paralajmëruar për pasoja të rënda për të drejtat e njeriut dhe sistemet e brishta të azilit në rajon.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar këtë të hënë, HRW kritikoi planet për krijimin e qendrave të kthimit jashtë kufijve të BE-së, duke i cilësuar si masa që mund të përkeqësojnë situatën në vende si Bosnja dhe Shqipëria, të cilat tashmë përballen me sfida serioze në përballimin e kërkesave për azil.

Që nga marsi, Bashkimi Evropian ka hapur rrugën për krijimin e qendrave për migrantët jashtë territorit të tij, përmes një mekanizmi që u mundëson shteteve anëtare të dërgojnë në këto qendra personat që u është refuzuar azili ose që duhet të largohen nga vendet pritëse. Në të njëjtën linjë, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi nisjen e bisedimeve për ngritjen e qendrave të ngjashme për azilkërkuesit jashtë Mbretërisë së Bashkuar me Ballkanin në fokus.

Sipas HRW, Shqipëria tashmë ka pranuar të strehojë qendra kthimi për refugjatët që vijnë nga Italia, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një paketë investimi prej 6 miliardë eurosh për Maqedoninë e Veriut, e interpretuar si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë mbi migracionin.

“Në vend që ta trajtojnë Ballkanin si një vendgrumbullim për emigrantët, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar duhet të fokusohen në ndihmën për ngritjen e sistemeve funksionale të azilit,” thekson HRW në deklaratë, duke u ndalur veçanërisht te situata alarmante në Bosnjë.

OJQ-ja rikujton se në vitin 2023, Bosnja njohu vetëm 4 kërkesa për azil nga 147 aplikime. Procesi, ndonëse sipas ligjit duhet të zgjasë 6 muaj, në praktikë zvarritet deri në një vit, duke bërë që të drejtat e emigrantëve të mos garantohen. Shtimi i azilkërkuesve të refuzuar nga vendet e mëdha në një sistem tashmë të tejmbushur, do të rriste rrezikun për abuzime dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Human Rights Watch kërkon që komuniteti ndërkombëtar të mos i përdorë vendet e Ballkanit si "zona tampon", por të bashkëpunojë për ndërtimin e politikave humane, transparente dhe të drejtë për emigrantët dhe azilkërkuesit. Shqipëria, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit nuk mund të përballojnë barrën e reformave të dështuar të migracionit të vendeve perëndimore përfundon HRW.

Të fundit