Flash News

E-TJERA

Humbën djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit, familja Durdaj padi në SPAK për Fatmir Mediun

Humbën djalin 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit,

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është kallëzuar në SPAK nga familja Durdaj, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në tragjedinë e Gërdecit.

"Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë", thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

SPAK ka vendosur të rihapë çështjen, ndërsa njofton se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit, të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.

Çështja ndaj ish-ministrit është pushuar më shtator të 2009-ës. Sipas SPAK-ut, Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e mori këtë vendim për shkak të imunitetit parlamentar që kishte Mediu asokohe.

Ndërkohë thekson se ky i fundit nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale, hetimin apo gjykimin e tij. Nisur nga kjo,  Prokuroria e Posaçme vlerëson se çështja penale ndaj Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë.

Një ditë më parë Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj ish-ministrit.

Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të 2008-ës, ku një fabrikë për demontimin e armëve shpërtheu dhe u mori jetën 26 personave, ndërsa u plagosën qindra të tjerë.

Të fundit