Flash News

E-TJERA

Humbi jetën në një burg në Zvicër, IML nuk arrin të zbulojë shkaqet e vdekjes se Briken Hoxhës

Humbi jetën në një burg në Zvicër, IML nuk arrin

Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka arritur të përcaktojë shkaqet e vdekjes së Briken Hoxhës, i cili ndërroi jetë mëngjesin e 17 korrikut 2021 në burgun Champ Dollon la Brenaz në Gjenevë të Zvicrës.

Trupi i pajetë i 37-vjeçarit u zhvarros pak javë më parë, bazuar në një vendim të gjykatës së Tiranës, e cila urdhëroi prokurorinë të vijonte hetimet për rastin dhe i la detyra konkrete.

IML nisi punën për të zbuluar shkaqet e vdekjes së të riut, pas kallëzimit të të atit të 37-vjeçarit, i cili kërkonte zbardhjen e të vërtetës.

Ndërsa theksojnë se në eshtrat e Briken Hoxhës, nuk janë konstatuar thyerje, megjithatë janë në pamundësi të përcaktojnë nëse ndaj tij është ushtruar ose jo dhunë, çka mund të ketë sjellë për pasojë edhe vdekjen.

“Kohë e gjatë nga vdekja, nuk mund të përcaktohet shkaku. Nuk konstatohen thyerje të kockave”, tha Instituti.

Të riut i kishin mbetur ndoshta më pak se 30 ditë për të përfunduar dënimin kur ndodhi ngjarja e rëndë. Sipas babait të 37 vjeçarit, përballja me trupin e të birit, do të ishte një tjetër tronditje e fortë për ta.

“Trupi ishte në gjendje të tmerrshme, i hapur dhe i çarë në të gjitha pjesët e tij. Gjë e cila na ngriti dyshime të forta mbi autopsinë e kryer. Autopsia ligjore e cila realizohet nga mjekët përkatës specialistë ka një protokoll të caktuar gjatë realizimit të saj, kjo në varësi të gjendjes së trupit."

"Në burgun ku djali im vuante dënimin ka një skedë të gjendjes fizike apo shëndetësore si për çdo të dënuar tjetër. Autopisa e realizuar ndaj djalit tim, hapja në të gjithë pjesët e trupit më bën të dyshoj fort se ekzaminimi i autopsisë është realizuar me qëllim krijimin e vështirësive për ekzaminime të tjera duke e dëmtuar trupin në atë gjendje”, ka deklaruar babai i Briken Hoxhës.

Autoritetet e Zvicrës nuk i janë përgjigjur deri me tani letër porosisë së dërguar nga prokuroria shqiptare, ku kërkohen të dhëna për rrethanat në të cilat ndërroi jetë i riu shqiptar, ndërsa priste lirimin nga burgu.

Të fundit