Flash News

E-TJERA

Hyn në fuqi Akti Normativ: Gjobë 2 mln-10 mln lekë për bizneset që abuzojnë me çmimet e produkteve të shportës

Hyn në fuqi Akti Normativ: Gjobë 2 mln-10 mln lekë për

Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transaprencës i cili përcakton marzhin e fitimit të biznesve dhe do të kujdeset që të mos abuzojnë me çmimet e produkteve.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, subjektet që nuk respektojnë vendimet e marra nga bordi mbi përcaktimin e marzhin e fitimit, do të penalizohen me gjobë nga 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë. Në rast se subjekti përsërit shkeljen, do të dënohet me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

Akti Normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, përcakton se bordi:

a) të miratojë listën e produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, për të cilat zbatohet situata e veçantë;

b) të zbatojë metodologjinë e përcaktuar për vendosjen me transparencë të plotë të marzhit të fitimit;

c) të vendosë marzhin e fitimit në bazë të monitorimit të çmimeve për produktet ushqimore bazë dhe produktet e tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg;

ç) të njoftojë në mënyrë periodike, sipas vendimeve të Bordit, marzhin e fitimit, të cilat publikohen në Qendrën e Botimeve Zyrtare dhe në një seksion të veçantë në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë dhe bujqësinë. Vendimet e marra nga Bordi i fillojnë efektet ditën pasardhëse ose sipas përcaktimit të vendimit të Bordit;

d) t’i propozojë strukturës përgjegjëse marrjen e masave administrative, sipas shkronjës “c”, të nenit 7, dhe pikës 3, të nenit 8, të këtij akti normativ, që duhet të ndërmerren ndaj subjekteve në rast shkeljeje të parashikimeve të këtij akti normative.

Akti parashikon masa administrative gjobë nga 2 milionë lekë deri në 10 milionë lekë, për subjektet që nuk respektojnë marzhin e fitimit të vendosur nga bordi për produktet ushqimore bazë dhe produktet e tjera të lidhura me to.

Akti parashikon edhe masa me karakter detyrues për subjektet të cilat janë të detyruara të marrin masa për të ofruar furnzimin të pandërprerë të mallrave dhe produkteve.

“Të gjitha subjektet që tregtojnë produkte me shumicë, objekt i këtij akti normativ, të nevojshme për furnizimin e popullatës, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave që tregtojnë, për një periudhë 3-mujore ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim përballimin e situatës së veçantë të krijuar në treg.

Produktet e blera, me qëllim furnizimin e popullatës, në rastet kur me përfundimin e situatës së veçantë të krijuar në treg, nuk janë shitur në tregun e lirë, mund t’i shiten Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, me kërkesë të subjektit dhe sipas faturës me të cilën këto produkte janë blerë.

Rregullat dhe procedurat për blerjen e këtyre produkteve nga Drejtoria e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit të Mbrojtjes.

Mosmarrja e masave nga subjektet private, sipas përcaktimeve të pikave 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas shkronjave “a” dhe “b”, të nenit 7, të këtij akti normativ, dhe këto subjekte përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik”, thuhet në Aktin Normativ të miratuar nga qeveria.

Të fundit