Flash News

E-TJERA

I arrestuar me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme lë në fuqi masën ndaj Rexhep Rapit

I arrestuar me urdhër të SPAK, Gjykata e Posaçme lë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për masën e arrestit ndaj Rexhep Rapit i njohur ndryshe si Kep Arapi.

Ai kishte depozituar një kërkesë në Gjykatë duke kërkuar zbutje të masës së sigurisë për arsye shëndetësore. 60-vjeçari është i dënuar me 7 vjet burg për organizimin e emigracionit të paligjshëm.

Ai gjithashtu, u arrestua pas zbërthimit të aplikacionit Sky Ecc, për planifikimin e vrasjes së shtetasit Xhevdet Plaku, atentat i planifikuar të realizohej më datë 17 shtator 2019, në Durrës, kur ai ishte shoqëruar na komisariat nga oficeri i policisë Dedan Gjoni, me pretendimin se përdorte makinë të blinduar.

SPAK thotë se Rexhep Rapi i njohur si Kep Arapi, nipi i tij, Algert Rapi, Dejvi Gjermëni, i njohur edhe me emrat Elton dhe Sako Gjermëni, si dhe oficeri i policisë Dedan Gjoni, krijuan kushtet për vrasjen e Plakut, për motive hakmarrje.

 

NJOFTIMi

1.      Shtetasi nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi) ka paraqitur pranë Gjykatës më datë 31.01.2024 kërkesën me objekt: Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin  nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.      Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Etleva Deda, bazuar në nenin 260 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin Nr. 83, datë 13.05.2024, vendosi:

1.      Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit/personit nën hetim Rexhep Rapi (alias Kep Arapi), me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, caktuar ndaj tij me Vendimin  nr. 138, datë 20.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si të pambështetur në ligj dhe prova.

1.      Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit.

2.      Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit      për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.    

Tiranë, më datë 13.05.2024

 

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 

Të fundit