Flash News

E-TJERA

I bëri atentat Agron Pukës, arrestohet 31-vjeçari në Lezhë

I bëri atentat Agron Pukës, arrestohet 31-vjeçari në

Mesditën e kësaj të mërkure, forcat e policisë kanë arrestuar në Laç 31-vjeçarin Amarildo Ndreca (i njohur edhe si Amarildo Kola), i cili ishte shpallur në kërkim për tentativë vrasje. Ndreca, në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kishte tentuar të vriste shtetasin Agron Puka më 6 mars të këtij viti, përpara një shkolle në fshatin Rrilë të Lezhës.

Operacioni policor i koduar “Double Trouble” u realizua në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, i cili monitoron 24/7 situatën në terren. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen e Ndrecës, forcat operacionale ndërhynë në një lokal në Laç, ku e arrestuan atë.

Gjatë arrestimit, Ndreca u kap me një pistoletë dhe municion luftarak, ndërsa në lokal u gjetën mbetje të dyshuara të lëndës narkotike kokainë.

Gjykata e Lezhës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Gjatë operacionit u proceduan në gjendje të lirë edhe gjashtë persona që shoqëronin të arrestuarin, të cilët akuzohen për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Lezhës për hetime të mëtejshme.

Të fundit