Flash News

E-TJERA

Atentati i djeshëm në Lezhë/ Rikthehet policia në vendngjarje, ADN-ja mund të zbulojë autorët

Atentati i djeshëm në Lezhë/ Rikthehet policia në

Policia e Lezhës është rikthyer paraditen e kësaj të hëne në fshatin Rrilë, pranë berberhanes ku mbrëmjen e së dielës ndodhi atentati me armë zjarri, nga i cili mbeti i plagosur 30-vjeçari Sokol Daci.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ekspertët po kryejnë mbledhjen e gjurmëve të gjakut në vendngjarje, të cilat do t’i nënshtrohen analizës ADN. Hetimet synojnë të përcaktojnë nëse, përveç Sokol Dacit, ka pasur edhe persona të tjerë të plagosur, si dhe identifikimin e tyre.

Sipas informacioneve paraprake, brenda ambientit të berberhanes ndodheshin katër persona, mes tyre një anëtar i fisit Nikulaj dhe një punonjës policie. Dyshohet se polici ka kundërpërgjigjur me armë zjarri, çka ka ngritur dyshime se një nga autorët ose shënjestra e atentatit mund të jetë plagosur. Deri më tani, policia nuk ka konfirmim zyrtar për këtë pistë.

Autorët e dyshuar, rreth tre persona, raportohet se kanë qenë të veshur me rroba ushtarake dhe me kapuçë në kokë. Pas të shtënave, ata janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës që të çon drejt fshatit Shënkoll. Identiteti i tyre mbetet ende i paidentifikuar.

Sokol Daci mbeti i plagosur pasi u qëllua me tre plumba, ndërsa burimet hetimore dyshojnë se ai nuk ishte shënjestra e vërtetë e atentatit. Sipas të dhënave, objektiv i sulmit dyshohet të ketë qenë një prej nipave të familjes Nikulaj, i cili ndodhej në berberhane në momentin e ngjarjes dhe ka marrë një plumb.

Në këtë kuadër, policia po ushtron kontrolle në spitale dhe klinika private, për të verifikuar nëse ndonjë person tjetër është paraqitur për ndihmë mjekësore me plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Ngjarja ndodh në sfondin e konfliktit të vjetër të gjakmarrjes mes familjeve Nikulaj dhe Lekstakaj, një sagë që daton nga fundi i viteve ’90 në zonën e Lezhës dhe që ka prodhuar disa viktima ndër vite. Ky konflikt arriti kulmin në prill të vitit 2023 me ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Të fundit