Flash News

E-TJERA

I infektuar me Covid-19, ndërron jetë aktori i mirënjohur fierak, Fatmir Xhelili

I infektuar me Covid-19, ndërron jetë aktori i mirënjohur fierak,
Foto Ilustruese/ Aktori i mirënjohur fierak, Fatmir Xhelili

Ndahet nga jeta në moshën 69-vjeçare aktori i njohur fierak, Fatmir Xhelili.

Mësohet se, Xhelili i ishte nënshtruar disa ditë më parë një operacioni në zemër në Tiranë. Ndërkaq, pas daljes nga spitali rezultoi pozitiv me koronavirus. Ai u dërgua sërish për trajtim në Spitalin e Infektivit, ku dhe më pas ka ndërruar jetë.

Fatmir Xhelili është ndër aktorët më të mëdhenj të teatrit dhe estradës së Fierit, i njohur edhe si një nga simbolet e artit dhe kulturës fierake.

Figura e mirënjohur ka interpretuar për 46 vjet rresht përkrah emrave të mëdhenj si  Fuat Boçi, Luftar Paja, Hajrie Rondo etj.

Kujtojmë se, Xhelili e ka nisur rrugën e artit si aktor amator. Pas punës si elektricist në uzinën e naftës në Ballsh, ai angazhohej në teatër.

Karrierën më të madhe Xhelili e ka në komedi. Ai ka interpretuar rreth 180 role në dramë dhe komedi, ku është vlerësuar edhe me  4 çmime të para si aktori më i mirë. Një fakt interesant është se edhe roli i tij i parë është komedi, e titulluar “Këpucët angleze”.

Disa nga komeditë që ai ka interpretuar rolet kryesore janë “Dy dyzina me trëndafila”, “Fejesa” e Chehovit, “Një budalla e gjysmë”, “I burgosuri i katit 15” etj. Gjithashtu edhe në dramat “Pazari”, “Vite të paharruara”, “Fqinjët”, disa prej të  cilave me regji të Serafin Fankos, Dhimitër Orgockës, Gëzim Kamës, etj.

Të fundit