Flash News

E-TJERA

Abuzimi me tenderat te Bujqësori, SPAK dërgon për gjykim 29 të pandehur

Abuzimi me tenderat te Bujqësori, SPAK dërgon për gjykim 29

Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim 29 të pandehur lidhur me abuzimet me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Zyrtarët e UBT akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.

Ndërsa dy përfaqësuesit e operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë hetuar 9 procedura prokurimi të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë të fondit limit 90 milionë lekë.

“Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të personave përgjegjës të stafit akademik në UBT, të pandehurit: Romina Koto dhe Ilir Kapaj në detyrën e zëvendës/rektorit, Bejo Bizhga, me detyrë Përgjegjës i Departamentit të Moduleve Paraklinike, që konsistojnë në ideimin e projekteve dhe sigurimin e fondeve pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI), si edhe veprime të kundraligjshme të kryera në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin Edmond Tërthorja, me detyrë Administrator i UBT-së.

Këta persona kanë përgatitur të dhëna fiktive të projekteve, me specifikime të përgatitura nga vetë operatorët ekonomik konkurrues dhe fitues në këto procedura prokurimi. Pas sigurimit të fondeve nga AKKSHI, kanë vijuar veprimet e kundraligjshme të autoritetit kontraktor, në fazën e përgatitjes dhe kryerjes së procedurave të prokurimit. Komisioni që përllogariti fondin limit dhe përgatiti specifikimet teknike ka bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të paligjshme me njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave.

Gjatë hetimit janë evidentuar shkelje ligjore të anëtarëve të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave nga të pandehurit: Amarildo Lleshi, Mehmet Qoshja, Altin Murto, Enkeleida Sallaku, Klara Jahollari, Agim Sefa, Arjan Buliqi, Serafin Skënderi, Ilir Kusi, Dritan Laçi, Azem Parllaku, Artur Koleci, Radion Dhromi, Blenard Spaho, Tedi Proda, Erjola Kopali, Klea Lekoçaj, Etleva Shore, Mimoza Shehu, Elvira Shtogu, Tone Vukaj, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, të pandehurin, Edmond Tërthorja, të cilët kanë krijuar kushte dhe favorizuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë “Krijon”sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k, “Malvina Visoka PF”.

Gjatë hetimit rezultoi se të dhënat e përgatitjes së fondit limit, specifikimet teknike, termat e referencës, si dhe hartimi i dokumenteve standarde të tenderit, janë bërë nga zyrtarët përgjegjës të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë fitues “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”.

Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.

Janë evidentuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje me mallra të tjera, të vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit, (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas, janë kryer procedurat fiktive të  prokurimit dhe marrje e tyre në dorëzim)”, njofton SPAK.

Të fundit