Flash News

E-TJERA

Sulmi ndaj gazetares për inceneratorin, Safe Journalist kritikon Ramën: Diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari

Sulmi ndaj gazetares për inceneratorin, Safe Journalist kritikon

Organizata Safe Journalist ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me ndotjen plastike dhe inceneratorin e Tiranës, duke e cilësuar gjuhën e përdorur prej tij si përçmuese dhe delegjitimese ndaj gazetarisë kritike.

Reagimi i Ramës erdhi pas një deklarate në Facebook nga gazetarja Klodiana Lala. “O mbret (qe je lakuriq)  po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur... (Milionat jane vjedhur e ti ben propagande me ne)”, shkruante Lala.

Sipas Safe Journalist, në vend që t’u përgjigjej këtyre pyetjeve me fakte dhe transparencë institucionale, Rama zgjodhi të sulmojë personalisht gazetaren, duke përdorur terma si “injorancë”, “mungesë etike” dhe “dezinformim”, pa adresuar asnjë nga çështjet thelbësore të ngritura.

Organizata thekson se problemi nuk qëndron te polemika apo kundërshtimi i një qëndrimi kritik, por te trajtimi i kritikës ndaj pushtetit si një defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik.

Safe Journalist paralajmëron se kur Kryeministri, nga pozita e pushtetit, përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmeve personale.

"Pas deklaratës së Kryeministrit Edi Rama, që ia atribuon ndotjen plastike kryesisht sjelljes së qytetarëve, gazetarja investigative Klodiana Lala ngriti pyetje konkrete dhe të dokumentuara mbi funksionimin e inceneratorit dhe përgjegjësinë institucionale për menaxhimin e mbetjeve.

Në reagimin e tij pasues, Kryeministri nuk iu përgjigj këtyre pyetjeve me fakte apo sqarime institucionale. Përkundrazi, ai zgjodhi një gjuhë përçmuese dhe delegjitimese, duke folur për “injorancë”, “mungesë etike” dhe “dezinformim”, pa adresuar asnjë prej pretendimeve konkrete.

Problemi nuk është polemika apo kundërshtimi i një qëndrimi kritik, por fakti që kritika ndaj pushtetit trajtohet si defekt moral i gazetarit dhe jo si pjesë e një debati legjitim publik.

Kur Kryeministri, nga pozita e tij e pushtetit, përgjithëson dhe diskrediton rolin e gazetarisë në vend që të japë llogari, vëmendja zhvendoset nga çështjet reale të interesit publik drejt sulmit ndaj atyre që bëjnë pyetje. Kjo dobëson debatin publik dhe rrezikon të normalizojë presionin ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj grave në gazetari", shkruan Safe Journalist Albania në reagim.

Të fundit