Flash News

E-TJERA

Tërmeti në Egje, Tirana zyrtare mesazhe solidariteti: Forcë, kurajo! I gjendemi pranë Greqisë dhe Turqisë! Fatkeqësia natyrore, nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë

Tërmeti në Egje, Tirana zyrtare mesazhe solidariteti: Forcë,
Pamje nga Izmiri pas tërmetit të fuqishëm në Egje

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.6 dhe thellësi 10 km, ka tronditur Greqinë e Turqinë, mesditën e sotme. Ndërsa pala greke gradualisht po i kthehet normalitetit, në palën turke dëmet janë tepër të mëdha.

Përmes reagimeve, zyrtarët e Tiranës kanë shprehur keqardhje pas katastrofës natyrore që goditi dy vendet mike.

I pari që ka reaguar ka qenë Presidenti Meta, i cili i tronditur pas lajmit tha se Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj në këto momente të vështira.  

“Thellësisht i tronditur nga tërmeti që goditi këtë mesditë ishullin grek të Samosit  dhe preku rëndë edhe qytetin e Izmirit.

Lëkundjet e tërmetit u ndjenë në 4 shtete, më së shumti në Turqi e Greqi, por edhe në Bullgari deri edhe në Shqipëri.

Ky është një moment solidariteti njerëzor dhe reflektimi për t’u qëndruar pranë familjeve të viktimave dhe autoriteteve të Turqisë dhe Greqisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore.

Unë dhe gjithë populli shqiptar u qëndron pranë popujve miq Turk dhe Grek, me urimin për të përballuar këtë situatë të vështirë dhe lehtësuar dhimbjen familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre.

Shqipëria do t’u gjendet pranë vendeve mike me të gjithë kapacitetet e mundshme të saj”, shkruan Meta.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se po ndjek me shqetësim të thellë situatën në Turqi.

“Po ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse nga Turqia. Ngushëllimet e mia më të thella janë për familjet e viktimave të tërmetit. Ju uroj shërim të plagosurve, forcë, kurajo dhe solidaritet me popullin dhe autoritetet e Turqisë në përballimin e kësaj tragjedie të rëndë”, tha Basha.

Mesazhe kuraje dhe solidariteti ka dhënë edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Në një telegram drejtuar homologut të tij në Turqi, Mustafa Şentop, dhe në Greqi Constantine Tassoulas, Ruçi tha se “kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë”.

“Me tronditje mora lajmin për tërmetin shumë të fortë që goditi sot në mesditë Sanmosin, Izmirin dhe zonat perreth. Në këto çaste të rënda, Kuvendi i Shqipërisë dhe gjithë populli shqiptar, janë pranë popujve tanë miq e fqinj dhe shprehim dhimbjen e solidaritetin me qytetarët dhe familjarët e viktimave. Jam i bindur se kjo goditje e natyrës nuk do t’i gjunjëzojë fqinjët tanë, me të cilët kemi ndarë, ndajmë e do të ndajmë gëzimet dhe pasojat e fatkeqësive”, shkruan Ruçi.

Të fundit