Flash News

E-TJERA

Atentati në Rinas, Prokuroria e Tiranës merr në pyetje Emiliano Shullazin

Atentati në Rinas, Prokuroria e Tiranës merr në pyetje Emiliano

Prokuroria e Tiranës pritet të marrë në pyetje Emiliano Shullazin në kuadër të hetimeve për atentatin e ndodhur pranë aeroportit të Rinasit në nëntor 2025, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, ndërsa Muçi Shaljani u plagos rëndë dhe ndërroi jetë më vonë në spital.

Shullazi, i cili ndodhet aktualisht në burg si i dënuar për veprat penale “gjobëvënie” dhe “grup kriminal”, si dhe i dyshuar në një tjetër hetim të SPAK, do të pyetet për dijeninë e tij mbi autorët dhe organizatorët e atentatit ndaj mikut të tij të ngushtë, Gilmando Dani.  

Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal që kreu sulmin mund të ketë pasur informatorë brenda aeroportit, të cilët kanë përditësuar në kohë reale lëvizjet e viktimave.

Gilmando Dani ishte një person me lidhje të ngushta me Emiliano Shullazin dhe pjesë e grupit kriminal të drejtuar prej tij. Dani kishte vuajtur më herët një dënim me burg për veprën penale “gjobëvënie” dhe ishte liruar nga burgu në tetor të vitit 2024.

Atentati ndodhi në rrethrrotullimin pranë aeroportit të Rinasit, ku Dani u qëllua me breshëri automatiku nga disa persona të armatosur, në një pritë të mirëorganizuar. Në momentin e sulmit, ai po udhëtonte në një automjet që drejtohej nga Muçi Shaljani, vetëm pak minuta pasi të dy ishin kthyer nga Spanja.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e rolit të personave të tjerë të përfshirë në atentatin e rëndë.

 

 

Të fundit