Flash News

E-TJERA

Atentati në Shkodër, ndërron jetë në spital edhe 32-vjeçari, Arlind Bushati

Atentati në Shkodër, ndërron jetë në spital edhe

Ndërron jetë në spital edhe 32-vjeçari, Arlind Bushati, i cili u qëllua me breshëri plumbash në atentatin e ndodhur pasditen e sotme në Dobraç të Shkodrës, duke e çuar në tre bilancin e viktimave. 

Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit për kryebashkiak të Shkodrës, Xhemal Bushati ishte në makinë me Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, kur ndaj tyre u qëllua me breshëri automatiku.

Ndërkohë, viktima tjetër është një kalimtare e rastit, 56-vjeçarja Flutura Basha, ndërsa bashkëshorti i saj, 67-vjeçari Bashkim Basha po lufton për jetën në spital.

Në shënjestër të atentatit dyshohet se ishin Hamza Lici. Sipas një njoftimi paraprak nga policia, të dy udhëtonin në një makinë benz, me targa belge, kur u qëlluan nga një makinë tjetër në lëvizje. Automjeti benz dyshohet se ka humbur kontrollin dhe, për pasojë, ka përplasur një motoçikletë me të cilën udhëtonin çifti Basha. 

Viktima e atentatit Hamza Lici është djali i Mustafa Licit, kryetar prej shume vitesh i një partie të vogël, partisë “Mendimi i Djathtë Liberal” dhe ish këshilltar bashkiak. Gjithashtu ai është vëllai i Ibrahim Licit, një person në kërkim nga policia për përfshirjen në disa vepra të rënda penale.

Më datën 10 tetor të këtij viti, Arlind Bushati u kërcënua me armë para një lokali në qendër të qytetit të Shkodrës, fare pranë banesës së tij, nga dy persona që po lëviznin me një motoçikletë. Një ditë më pas ai bëri një denoncim në policinë vendore, por pa bërë të ditur nëse kishte identifikuar apo jo autorët. Ndërsa në mars të vitit 2022 banesës së prindërve të tij iu vu një sasi tritoli.

Autorët e kësaj ngjarje kanë mbetur të paidentifikuar nga policia.
Atentati i sotëm në Shkodër dyshohet se lidhet me veprimtarinë e grupeve kriminale, të cilët veprojnë prej shumë vitesh në këtë qytet dhe që kanë shkaktuar një numër vrasjesh dhe vepra të tjera kriminale.

 

Të fundit