Flash News

E-TJERA

I regjistruar si votues në Durrës/ A e humb Erion Veliaj mandatin e kryebashkiakut?

I regjistruar si votues në Durrës/ A e humb Erion Veliaj mandatin e

Erion Veliaj ndodhet në qeli prej datës 10 shkurt, ditë kur agjentët e BKH zbarkuan në Bashkinë e Tiranës dhe e arrestuan.

Kryebashkiaku i Tiranës akuzohet nga SPAK për veprat penale të "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë", në 9 raste si dhe "pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale".

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, është vënë re se Veliaj rezulton i regjistruar si banor i Bashkisë së Durrësit, ku aktualisht ndodhet në paraburgim.

Fakti që Veliaj nuk është më banor i Tiranës, ngre dyshime nëse është apo jo kryebashkiak i bashkisë më të madhe në vend.

Juristi Marash Logu, në një postim në Facebook, shprehet se Veliaj automatikisht ka humbur mandatin, bazuar në Nenin 61, pika 1, gërma "c", e Ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i ndryshuar.

Sipas këtij neni, mandati i kryebashkiakut përfundon në momentin kur ai nuk është më banor i bashkisë ku është zgjedhur.

“Erion Veliaj humbet mandatin e kryetarit të Bashkisë Tiranë!

Neni 61, pika 1, gërma "c", e Ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i ndryshuar, parashikon se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari nuk është më banor i përhershëm i bashkisë ku është zgjedhur. Duke qenë se tashmë Erion Veliaj nuk rezulton më si banor i Bashkisë Tiranë, por si banor i Bashkisë Durrës, kjo do të thotë që ai automatikisht humbet mandatin e kryebashkiakut të Tiranës. Këshillit Bashkiak të Tiranës nuk i mbetet tjetër veçse të njoftojë Këshillin e Ministrave, i cili ia përcjell njoftimin Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”, shkruan Logu.

Ende nuk ka një njoftim apo një sqarim nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, pasi sipas rregullores e ligjit, do të duhet që këshilli të mblidhet të njoftojë Këshillin e Ministrave dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.

Të fundit