Flash News

E-TJERA

I zhdukur prej dy javësh, gjendet i vrarë në Dajt biznesmeni Ruzhdi Hoxha. Arrestohet autori i dyshuar

I zhdukur prej dy javësh, gjendet i vrarë në Dajt biznesmeni
Vendi ku u gjet trupi i pajetë i Ruzhdi Hoxhes

Gjendet trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha, 43 vjeç i cili rezultonte i zhdukur prej 2 javësh.

Trupi i 43 vjeçarit, i cili rezultonte i zhdukur prej 2 javësh u gjet nga policia në zonën e Malit me Gropa.  

Paraprakisht, mendohet se Hoxha është vrarë pasi hetuesit kanë konstatuar shenja dhune në trupin e tij. 

Sipas policisë, trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet nga policia në zonën e Dajtit pas 10 ditësh kërkime. Policia sqaron se si rezultat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës dhe angazhimit nga strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, Fnsh u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Po ashtu, dyshohet se Fredi Rrushi , i njohur si miku i viktimës, i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Hoxha ishte pronar i një biznesi inertesh në dalje të Kamzës dhe babai i dy fëmijëve.

Denoncimi për zhdukjen e tij ishte bërë nga vëllai në komisariatin numër 5 më 24 tetor. Hoxha kishte qenë duke pirë kafe diku pranë autostradës Tiranë-Durrës pasi është telefonuar nga miku i tij Ferdinand Rrushi dhe kanë lëvizur me makinën e tij në drejtim të Zall Herrit.

 

Të fundit