Flash News

E-TJERA

Ibsen Elezi dorëzon kandidaturën për kreun e PD: Pa dorëheqjen e Bashës, nuk ka garë të barabartë

Ibsen Elezi dorëzon kandidaturën për kreun e PD: Pa

Ibsen Elezi ka dorëzuar paraditen e së shtunës formularin e kandidimit për kryetar partie të PD.

Në prononcimin për mediat, Elezi tha se siç parashikon edhe statuti brenda partisë, shanset për një garë të barabartë do të ofrohen nëse kryetari aktual, Lulzim Basha jep dorëheqjen nga dita e hënë.

“Gjatë kësaj periudhë parazgjedhore i jam drejtuar çdo demokrati, intelektuali brenda PD që të marrë kurajën dhe të kandidojë.

Ju kujtoj strukturave të PD që të gjithë duhet të kenë kujdes që të administrohet një proces zgjedhor që vota të konsiderohet e paprekshme. Nëse sot jemi në një betejë me Edi Ramën si një nga ata që deformoi sistemin zgjedhor dhe votën, nuk besoj që këtë shembull duhet ta japë edhe PD ne brenda PD.

Edhe një rast po të ndodhë do ulë imazhin e PD. Shanset e barabarta shprehen në statut, kjo do të thotë se ditën e hënë Lulzim Basha të mos jetë më në zyrën sipër sepse nuk është më shans i barabartë mes nesh, ndryshe ndodh deformimi i procesit zgjedhor”, tha Elezi.     

Një ditë më parë, formularin e kandidimit e dorëzuan në PD edhe Fatbardh Kadilli dhe Edit Harxhi për garën e 13 qershorit.

Po ashtu, formularin e dorëzoi pasditen e djeshme edhe kryetari aktual, Basha.

Kujtojmë se sot është edhe afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave, ndërsa të dielën pritet të zyrtarizohen kandidaturat nga ana e Komisionit të Zgjedhjeve në PD. 

Të fundit